
Ministria franceze e Drejtësisë, Christiane Taubira ka shkaktuar serish zemërim, pasi nuk ka kënduar himnin kombëtar të Francës në një ngjarje që përkujtonte shfuqizimin e skllavërisë.
Kritikët kishin reaguar ashpër në profilin e ministres në rrjetin social “Facebook”, ndërsa ajo është përgjigjur se nuk donte të merrte pjesë në “karaoke”.
“Disa raste janë më të përshtatshme për meditim…se një skenë karaokesh”, ka thënë ministria franceze e Drejtësisë.
Ky koment shkaktoi reagimin e menjëhershëm të politikanëve të opozitës, veçanërisht të së djathtës ekstremiste të Partisë së Frontit Kombëtar, të cilët kërkuan dorëheqjen e Christiane Taubira-s.
“Duke krahasuar “Marsejezën” me një karaoke dhe duke refuzuar ta këndojë atë, Christiane Taubira ka zbuluar ngjyrat e saj të vërteta dhe ato të administratës”, tha udhëheqësja e partisë, Marine Le Pen.
“Ajo që është më tronditëse është justifikimi i saj, duke justifikuar veten me krahasimin e himnit me karaoke. Ajo është një ministre dhe disa gjëra nuk duhet t’i thotë. Edhe unë jam në mesin e miliona francezëve që janë tronditur thellësisht”, deklaroi Jean-Francois Cope, kreu i UMP, qendrës së djathtë.
Një sondazh i kryer në internet nga revista e krahut të djathtë “Le Point” të hënën rezultoi se 80% e rreth 20 mijë të anketuarve kërkojnë largimin e ministres Taubira.
Taubira, vendlindja e së cilës është nga Guineja franceze, ka qenë shpesh subjekt i kritikave nga e djathta franceze, në masën më të madhe për shtyrjen e legjislacionit të vitit të kaluar për legalizimin e martesave të homoseksualëve. Gjithashtu ajo është akuzuar si tepër e butë ndaj krimit.
Top Channel