
Autoritetet në Kanada kanë njoftuar se do të ngrenë akuza kriminale për tre punëtorë dhe një kompani hekurudhore, në lidhje me shpërthimin që tronditi qytetin e Kebekut vitin e kaluar.
Tre punëtorët dhe kompania do të akuzohen për neglizhencë me pasojë shpërthimin, saktësuan autoritetet e drejtësisë.
Shpërthimi i 6 korrikut ndodhi kur një tren-çisternë me shumë vagonë doli nga kontrolli dhe u përplas në lokaliteti Lak-Megantik. Qyteti u shkatërrua dhe 47 persona mbetën të vdekur në atë ferr.
Inxhinieri i trenit u arrestua të hënën, bashkë me menaxherin e operacioneve dhe përgjegjësin për qarkullimin hekurudhor. Ata pritet të paraqiten në gjykatën e Kebekut gjatë së martës.
Kompania që menaxhonte hekurudhën tashmë është shkrirë, pasi autoritetet kanadeze i pezulluan liçencën e operimit në gusht të vitit të kaluar.
Tre personat dhe kompania përballen secili me 47 akuza për neglizhencë kriminale me pasojë vdekjen, deklaroi një zëdhënës i zyrës së prokurorisë lokale për gazetën “Montreal Gazette”.
Treni me 72 çisterna të mbushura me naftë kishte ndaluar në një zonë të përpjetë dhe ishte lënë i pambikëqyrur kur ra mbrapsht në një gjatësi prej 11 kilometrash, duke arritur në qytet ku dhe ndodhi katastrofa.
Shumë vagonë shpërthyen, duke shkatërruar 40 ndërtesa, duke dëmtuar një zonë të madhe të Lak Megantik dhe duke detyruar rreth 2 mijë banorë të lënë shtëpitë e tyre.
Autoritetet akuzojnë punëtorin e trenit se nuk kishte aktivizuar frenat e dorës për të shmangur lëvizjen e mjetit.
Top Channel