
Një gjykatë në Izrael ka dënuar ish-kryeministrin Ehud Olmert me 6 vjet burg për marrje ryshfeti dhe e ka gjobitur atë me 289 mijë dollarë amerikanë.
Zëdhënësi i Olmert deklaroi se ish-kryeministri do ta apelojë vendimin në Gjykatën Supreme dhe do të kërkojë të lirohet me garanci derisa kjo e fundit të vendosë.
Nëse dënimi konfirmohet, ai do të jetë i pari shef qeverie në Izrael që do të burgoset. 68-vjeçari u dënua në mars në lidhje me një marrëveshje pronash që u realizua në kohën kur ai ishte kryetar i bashkisë së Jeruzalemit.
Gjykata e qarkut të Tel Avivit e shpalli atë fajtor për dy raste ryshfeti dhe deklaroi se Olmert kishte pranuar 145 mijë dollarë amerikanë nga ndërtuesit e një kompleksi apartamentesh, të njohur si Holyland dhe një shumë tjetër në lidhje me një tjetër projekt.
Ditën e martë, gjyqtari Uri Rozen deklaroi se akuzat për marrje ryshfeti “ndotin sektorin publik dhe çojnë në rënien e strukturës së qeverisë”.
“Njerëzit që marrin ryshfet nxisin ndjenjën e neverisë dhe bëjnë që publiku të përçmojë institucionet shtetërore. Marrësi i ryshfeteve është si një tradhtar që tradhton besimin publik që i është dhënë, besim që pa një shërbim të saktë publik nuk mund të mbahet gjatë”, deklaroi gjyqtari.
Ndërsa zëdhënësi i Olmert, Amir Dan insistoi se ai është i pafajshëm. “Kjo është një ditë e trishtueshme kur një vendim i padrejtë pritet të jepet ndaj një njeriu të pafajshëm”, tha ai.
Olmert ka qenë kryeministër i Izraelit nga viti 2006 në 2008, derisa një valë akuzash për korrupsion e detyruan të dorëhiqej.
Top Channel