Don Kishoti i Divjakës

13/05/2014 00:00

FATOS ÇOÇOLI – Trafiku i organizuar i drogës nëpërmjet avionëve të vegjël turistikë është një realitet i pamohueshëm në shumë vende të Amerikës Latine, por edhe në hapësira të gjera të disa vendeve të Europës Lindore (Moldavi, Ukrainë etj.). Ai kërkon terrene të shkreta (për të mos u gjetur nga mjetet ajrore të policisë) dhe një bazë të mirë logjistike të trafikantëve.

Në Shqipëri kanë funksionuar më së miri për shumë vite bazat logjistike të transportit detar dhe rrugor të “miellit të bardhë”. Madje, ato janë zhvilluar dhe përsosur. Transporti ajror i drogës me avionë të destinuar për këtë synim, në Shqipëri solli sprovën e parë këto ditë në rërën e Divjakës. Për fat të mirë të fytyrës së Shqipërisë kudo në botë, transporti ajror i destinuar për drogë nëpërmjet ushtrisë sonë nuk ngjiti dhe nuk kishte si të ngjiste. Edhe sikur struktura të plota të ushtrisë sonë të supozoheshin të predispozuara për të fituar para kësisoj, mungonin lidhjet me kartelet e drogës në Europë, që e kryejnë shpërndarjen e saj nëpërmjet transportit ajror.

E gjithë fjalënaja e prodhuar deri tani për t’i faturuar ushtrisë sonë një trafik aq të sofistikuar e të mirorganizuar është një donkishotizëm i pastër, në rastin më të mirë të mundshëm. Pra, duke supozuar se ata që kërkojnë t’ia ngjisin ushtrisë këtë aktivitet janë seriozisht të interesuar e të përkushtuar për ta ruajtur ushtrinë shqiptare nga çdo sprovë përdorimi të strukturave e mjeteve të saj për trafik droge. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për ngjarjen në Divjakë. Avionë të vegjël spërkatës në fushat relativisht (për kushtet tona të një terreni të paktë) të gjera të Fierit, Lushnjës apo Divjakës janë parë dhe do të shihen. Por avionë të mirëfilltë turistikë ende është zor të shohim në truallin tonë. Për faktin se ata kushtojnë(një udhëtim 200 km me një avion të vogël turistik shkon 700-800 euro) dhe ne ende nuk kemi turizëm elitar (dhe s’do ta kemi për akoma shumë vite, për shkak të mungesës së infrastrukturës për këtë lloj turizmi).

Kështu që në ka ndonjë avion të vogël që nuk spërkat, ai, ose është për ndonjë qëllim të veçantë (fotografi biznesi apo albumi turistik), ose, duke u shtirur si turistik, do të kërkojë të transportojë drogë. Këtë kërkoi dy ditë më parë avioni i kamorristit italian. Ishte sprova e parë dhe realisht e vetmja. Të gjithë donkishotët e sotëm të trafikut ajror të drogës në Shqipëri duhet të rrinë të qetë. Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë trafik real e të qëndrueshëm ajror droge (me avionë të destinuar për këtë qëllim, pse nëpërmjet Rinasit dhe udhëtimeve të linjave normale ajrore gjithkush mund ta provojë- nëse është aq i çmendur apo korrupton kontrollet këtej e andej kufirit), për vetë kushtet e vendit tonë. Ka pasur dhe për fat të keq ka një komunë me mbi 10 mijë banorë, ku edhe tani rritet drogë.

Problemi madhor i drogës te ne quhet Lazarat. Për sa kohë kjo komunë do të jetë në hartën e zonave europiane prodhuese të “miellit të bardhë”, qeveria, të gjitha strukturat e shtetit tonë dhe e gjithë shoqëria shqiptare është e damkosur. Banorëve të Lazaratit u duhet urgjentisht t’u jepet një shans i dytë, puna në biznese normale. Për këtë duhen futur në lojë Ministria e Punës dhe ajo e Financave. Çdo biznesi normal në Lazarat i duhet dhënë një status i veçantë tatimor(ndoshta parajsë e përkohshme tatimore), derisa plantacionet e hashashit të zhduken përfundimisht nga kjo komunë. Lazarati nuk dominohet me patrulla policie rreth sinoreve të tij, por fitohet me ofrimin e një jetese normale për banorët e tij. Në rast se policia jonë lihet e vetme për të përballuar problemin sa shoqëror aq dhe teknik të prodhimit dhe shpërndarjes së drogës lazaratase, kjo komunë do të vijojë të mbetet në hartën e rajoneve europiane prodhuese të drogës.

Donkishotët tanë të trafikut ajror të drogës në Shqipëri ende nuk na kanë ofruar një zgjidhje përfundimtare të “çështjes Lazarat”. Ai po që është problemi ynë real dhe jo imagjinar, me drogën dhe integrimin e vendit, ku duhet të përqendrohet shqetësimi ynë publik dhe përpjekjet qeveritare e opozitare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA