“Politika ka degjeneruar”, Blendi Salaj: Shqiptarët janë qeverisur gjithmonë nga të fortët Përpos violinistit, Tedi Papavrami vjen për publikun shqiptar në një tjetër version. Kësaj here në atë të shkrimtarit, për të prezantuar librin e tij “Fugë për violinë”.
Një titull, me sa duket, me sens të dyfishtë për autorin. Fuga, “arrati” nga latinishtja. Në sensin muzikor, arrati e temave të fugës, të cilat i japin dëgjuesit ndjesinë e një largimi të vazhdueshëm dhe ikja nga Shqipëria e Tedi Papavramit dhe familjes së tij, larg sistemit të kohës komuniste.
Ky libër, pas botimit të tij në frengjisht, vjen në shqip nga përkthyesja Blerta Hyska.
“Ajo që i interesonte botuesit francez ishte veçantia e jetës sime për sa i përket fillimit, vitet e para në Shqipëri dhe ikja në Francë, në një kohë që Shqipëria ishte shumë e mbyllur. Ishte një pjesë zhgënjimi në fakt dhe një ndjesi frike, sepse ishte një ndërrim kaq i beftë nga sistemi në të cilin kisha jetuar, megjithëse u mësova shumë shpejt me të, por fillimisht ishte si një goditje e madhe, sikur kthehen gjërat përmbys brenda 1 sekonde”, shprehet Tedi Papavrami, autor i “Fugë për Violinë”.
“Një libër, që mbart mesazhe domethënëse për të rinjtë, që duan të ecin përpara”, është për redaktoren e tij Ajola Xoxa.
“Përmes këtij libri, çdo i ri shqiptar që do të ketë mundësi ta lexojë, do të kuptojë se për t’u bërë i suksesshëm apo i famshëm prej vërteti dhe për të qenë i stabilizuar në profesion dhe karrierë, në fakt duhet jashtëzakonisht shumë punë e disiplinë, dhe se talenti nuk mjafton gjithmonë”, deklaroi Ajola Xoxa, redaktore e “Fugë për Violinë”.
Një tjetër lidhje me letrat e Papavramit është edhe ajo si përkthyes nga shqipja në frengjisht i librave të Kadaresë. E duke iu rikthyer muzikës, të martën dhe të mërkurën do të ngjitet në skenën e TKOB me dy koncerte të ndryshme, me pjesë nga Johann Sebastian Bach, kompozitorit gjerman që – sipas Tedi Papavramit – muzika e tij e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës.
Top Channel