Avioni i drogës apo droga e avionit?

12/05/2014 00:00

Andrea Stefani – Në objektivin për një rikthim “blickrig” në pushtet, opozita berishiste është angazhuar në një përpjekje të ethshme për të shkatërruar reputacionin e qeverisë “Rama”, duke e akuzuar edhe si organizatore të trafiqeve të drogës.

Rama ik! – bërtet Berisha vetëm 8 muaj pasi humbi pushtetin me votë. Bën njësoj si në vitin 2005, kur ndërsa e akuzonte qeverinë e Fatos Nanos për korrupsion, bërtiste Nano ik! Dhe u ngjit atëherë në pushtet për të bërë një korrupsion edhe më të madh se Nano. Gjakim për pushtet dhe vetëm për pushtet! Kapet një avion droge dhe Lulzim Basha deklaron se qeveria “Rama” ka rënë moralisht. Dhe e thotë këtë pikërisht ai politikan, qeveria e të cilit nuk ra as moralisht dhe as politikisht, kur vrau qytetarë të pafajshëm në mes të ditës.

***

Berisha, i sëmuri për pushtet, nuk bën dot pa të. Pushteti është droga e tij. Gjithçka po shohim janë skenarë të këtij gjakimi patologjik. Pjesë e këtij gjakimi janë edhe akuzat e hedhura gjatë këtyre javëve për përfshirjen e Forcave të Armatosura në këtë trafik, si dhe hipotezat e ngritura me rastin e avionit të kapur, dy ditë më parë në Divjakë. Ajo që të bie në sy është nxitimi i Berishës dhe veglës së tij, Bashës, për të dalë në konkluzione të shpejtuara që u volitin politikisht, por që mund të jenë shumë larg të vërtetës, madje edhe krejt në kundërshtim me të. Por, para se të shqyrtojmë hipotezat e hedhura nga shqyrtimi i fakteve, duhet të nënvizojmë se opozita e Berishës e ka shumë të vështirë ta fitojë edhe këtë betejë për reputacionin me qeverinë. Pse? Sepse ajo vetë, kur ishte në qeveri, ka prekur pikën më të lartë të një krimi që mund të kryejë një qeveri, ka prekur tavanin e krimit, që është vrasja e qytetarëve të pafajshëm. Berisha dhe Basha e kanë kot! Ata janë përgjegjës politikë dhe moralë për këtë superkrim. Cilët shqiptarë, përveç fanatikëve të verbuar dhe klaneve të pasuruara nga një qeverisje e superkorruptuar, do të pranonin si alternativë “shpëtimtare”, vrasësit e qytetarëve?! Pra, vërtet kemi pasur trafik droge me avionë nga qeveria “Rama” apo Berisha kërkon të budallallepsë shqiptarët me “drogën” e avionit?
 
***

Të kthehemi tek episodi i avionit të rrëzuar në Divjakë. Kemi disa fakte dhe dy versione hipotezash të ngritura mbi faktin. Qeveria pretendon se episodi është provë e ngritjes së shtetit dhe e efektivitetit të tij në luftimin e trafiqeve, deri sot të pagoditura. Një hipotezë që gjen bazë logjike në faktin që, ndryshe nga më parë, avioni u interceptua nga radarët e qeverisë dhe policia ndaloi edhe një automjet me drogë, si edhe drejtuesin e tij, pranë vendit ku ishte rrëzuar avioni. Gjen bazë edhe te fakti që në pak muaj është sekuestruar drogë shumë më tepër se në vitet e qeverisë Berisha, kur industria e drogës duket kish gjetur “safe heaven”.
 
***

Ndërsa qeveria flet për sukses, opozita berishiane bën të kundërtën. Ajo e komenton ngjarjen hipotetikisht si “provë” të akuzave të saj më të kahershme për ekzistencën e një trafiku droge me avionë. Dhe këtu nisin dyshimet e para. Pas hipotezave dhe akuzave të PD, nis e ravijëzohet një skenar politik. Pyetja e parë dyshuese është: Përse Berisha akuzoi ushtrinë për trafik droge me avionë, duke mos mundur të ofrojë dot asnjë fakt? Dihet që ka pasur trafik droge prej vitesh në Shqipëri. Por a është trafiku nga ajri një formë e re e shfaqur vetëm në muajt e qeverisjes nga PS-ja? Apo ka qenë i pranishëm edhe në 8 vitet e qeverisë Berisha? Nëse po, përse Berisha nuk ka mundur të zbulojë as edhe një rast? Verbëri apo bashkëpunim me trafikantët?
 
***

Seti i parë i dyshimeve na shpie tek ai i dyti: Mos vallë një qeverisje e mafiozuar po aktivizon lidhjet me mafien e drogës për të rrënuar reputacionin e qeverisë “Rama” dhe për të mundësuar rikthimin në pushtet të Berishës? Sepse, si ka mundësi që një avion shfaqet në Divjakë pikërisht në momentin kur Berisha kish nevojë të “provonte” se avionët e drogës ekzistonin vërtet dhe nuk ishin mushkonja, sikundër qe tallur Kryeministri Rama? Në akuzat e Berishës ka disa gropa logjike. Për shembull: përse qeveria Rama nxitoi të interceptonte një avion, fakt që mund të përdorej nga Berisha për të akuzuar qeverinë dhe për të provuar “vërtetësinë” e akuzave të tij? Nëse vërtet qeveria do të ishte e implikuar në trafik, sikundër akuzon Berisha, a nuk do të kishte një prirje të kundërt, që ta mbante sa më të fshehtë? A nuk do të kishte prirje të sekuestronte sa më pak drogë dhe jo të sekuestronte në 3 muaj më shumë sesa ka sekuestruar qeveria Berisha në 10 muaj? Dikush mund të thotë se një avion i rrëzuar nuk mund të fshihet dot. Dakord! Por mund të fshihet fare mirë një makinë plot me drogë që ish afruar tek avioni. Por policia e kapi dhe e denoncoi. Edhe pse Berisha mund ta keqpërdorte këtë fakt, sikundër bëri. Përgjithësisht, kur polici kap një hajdut që thyen dyqanin, ka pak të ngjarë që të jetë bashkëpunëtor me hajdutin.
 
***

Dyshim për një skenar të krijon edhe fakti që Berisha shfaqet shumë shpejt i “informuar” për incidente të tilla. Për shembull, ai deklaroi i pari se avioni u rrëzua nga mbipesha. Ku e dinte ai këtë detaj? Apo mos e kish nga përvojat e mëparshme kur ishte në qeveri? Kështu ka vepruar vite më parë, me bombën që shpërtheu para një supermarketi të piramidës financiare VEFA, kur akuzoi komunistët për terror. Kështu veproi edhe me vrasjen e Azem Hajdarit. Që në minutat e para pas atentatit dha publikisht të dhëna të detajuara lidhur me vrasësit. Më vonë u zbulua se disa nga pjesëmarrësit në vrasje (ish-truproja dhe truproja të Berishës) ndodheshin në godinën e PD ndërsa Berisha mbante fjalime mallëngjyese për vrasjen e Azemit dhe nxiste turmat për grusht shteti. Edhe më 21 janar akuzoi opozitën për vrasjen e protestuesve që i kish vrarë vetë. Ky politikan e ka provuar se nuk e ka problem të gënjejë e mashtrojë. Prandaj, çdo shqiptar që ka pak kujtesë ka të drejtë të dyshojë: Kemi përsëri të njëjtin lloj skenari?
 
***

Tashmë ka fakte dhe është provuar se Berisha ndjek taktikën hitleriane apo edhe enveriste, të organizmit apo provokimit të incidenteve për të vënë në vështirësi kundërshtarët politikë. Hitleri dogji Rajhstagun për të akuzuar komunistët, Enveri hodhi bombën në ambasadën sovjetike për të eliminuar antikomunistët, Berisha shpërthimin e bombës te VEFA e përdori për të vënë në pozitë të vështirë opozitën socialiste. Tipike e Berishës është edhe të akuzojë kundërshtarët për ato që në fakt i ka bërë vetë. Toleroi për vite me radhë piramidat financiare dhe kur ato falimentuan, akuzoi socialistët si ndërtimtarë të tyre. Vrau protestuesit më 21 janar dhe akuzoi opozitën se i vrau. Edhe kur i doli gënjeshtra e “thikave me helm” apo “çadrave pistoletë” këmbënguli si Galilei, duke thënë: Megjithatë, ajo i solli! Mos vallë edhe sot trafikun e fshehtë të drogës me avionë të toleruar nga qeveria e tij e ka parë të favorshme t’ia hedhë në shpinë qeverisë Rama?
 
***

Koha do të sjellë fakte mbi këto hipoteza. Por që sot, një gjë është e qartë: një gënjeshtar i sprovuar si Berisha e ka të humbur betejën me të vërtetën, sepse është i pozicionuar me fakte në anën e gënjeshtrës. Megjithatë, taktika e tij nuk është për t’u neglizhuar. Ironitë dhe metaforat me mushkonja nuk janë një mjet shumë efektiv mbrojtës. Sepse kur Berishës i thua se avionët me drogë për të cilët ai të akuzon janë mushkonja, mos u çudit aspak kur të të shfaqet ndonjë avion në Divjakë, më pas edhe në Gjadër apo diku tjetër. Sikur media të mos kish faktuar me figurë se kush i vrau protestuesit më 21 janar, nuk ka asnjë dyshim se edhe “çadrat pistoletë” e “thikat me helm” do të gjendeshin ashtu si po dalin sot edhe avionët. Berisha ka treguar se është mjeshtër për rregullime të tilla. Në fakt, si çdo autokrat që nuk është i lidhur me të vërtetën, por me manipulimin e opinionit me anë të gënjeshtrës.
 
***

Dhe meqenëse Berisha ngre hipoteza për përfshirjen e qeverisë në trafik droge, duke servirur si fakt të akuzës së tij një avion të detektuar dhe kapur nga qeveria, ç’duhet të themi për qeverinë e tij 8-vjeçare që nuk ka mundur as të detektojë dhe as të kapë asnjë nga avionët që indiciet thonë se kanë fluturuar në qiellin e qeverisë së tij? Kush nga qeveritë del bashkëpunëtore me trafikun, ajo që zbulon apo ajo që nuk e zbulon? Pas asaj që ke parë e dëgjuar nga Berisha, pas trenit të gënjeshtrave që ka lëshuar kemi të drejtë të hipotetizojmë: Mos vallë Berisha kërkon t’ia ngarkojë në shpinë qeverisë Rama një pistë trafiqesh ajrore që ka qenë konsoliduar në heshtje në kohën e qeverisjes së tij? Mos vallë për të bërë të besueshme një gjë të tillë ka organizuar, ashtu si Hitleri, sulmin mbi radiostacionin gjerman për të justifikuar agresionin mbi Poloninë, fluturimin në fjalë për të iniciuar agresionin mbi qeverinë? Bën përshtypje fakti që reagimi i Berishës është përherë politik, me synim nga pushteti. Vrasja e Azemit u përdor për të justifikuar grushtin e armatosur të shtetit. Edhe sot, pas kapjes së avionit, Berisha, me gojën e Bashës, bërtet: Qeveria ka rënë! Bën realitet atë që ëndërron. Po sa shqiptarë mund të besojnë te një skizofreni e tillë politike. Mos vallë u sollën qëllimisht, në kulmin e debatit për trafikun nga ajri dhe kur Berisha po kërkon me ngulm një pretekst për destabilizim të Shqipërisë, avioni dhe trafikanti shqiptar i drogës nga Italia? Të gjitha pistat duhet t’i nënshtrohen hetimit. Por deri atëherë, si përherë në politikë, veçanërisht kur ke në qarkullim politikanë mashtrues si Berisha, kurrë mos thuaj kurrë!

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA