
Presidenti i Senatit italian, Pietro Grasso, deklaroi në një intervistë për Top Channel se, nisur nga situata në Ukrainë, duhet një status kandidat gjithëpërfshirës për të gjitha vendet e Ballkanit. Ndërkohë, ai thotë se qeveria duhet të vijojë reformat në drejtësi për të luftuar korrupsionin dhe kriminalitetin.
Beti Njuma: Zoti Grasso, ka shtete që kanë pasur rezerva ndaj Shqipërisë, një pjesë edhe nën presionin e qarqeve ekstremiste, kundër marrjes së statusit të vendit kandidat, nisur edhe nga fakti se e konsiderojnë Shqipërinë një vend trafiqesh dhe me kriminalitet. Është me të vërtet Shqipëria një vend i tillë?
“Më duhet të them, jo më shumë se vendet e tjera që kanë qenë të tilla në të kaluarën, në dijeninë time, falë detyrës që mbaja deri një vit më parë. Sigurisht, ka trafiqe të lidhura me të ashtuquajturat mafje të vendeve të lindjes dhe organizatat e tyre kriminale. Një lloj multi-trafiku, që kalonte drejt Europës si emigrantët, ashtu edhe drogën apo mbetjet. Por, ky tashmë është një fenomen i globalizuar dhe nuk mund të drejtosh gishtin drejt një vendi të vetëm, sepse janë krime ndërkombëtare, që kanë nevojë për bashkëpunimin e shumë organizatave kriminale në vende të ndryshme. Do të duhej të bindeshin këto vende, që e kanë kundërshtuar marrjen e statusit të vendit kandidat, se Shqipëria është një vend shumë i rëndësishëm nga pikëpamja strategjike për Europën, për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Ngjarjet e fundit në Ukrainë të shtyjnë të reflektosh, mbi atë që duhet të nënkuptojë një status gjithëpërfshirës me të gjitha vendet e Ballkanit, për të garantuar paqen dhe stabilitetin”, tha Pietro Grasso.
Beti Njuma: Çfarë e pengon tani marrjen e statusit të vendit kandidat. A do të ketë një përgjigje pozitive në Qershor?
“Italia do ta mbështesë këtë proces, e kemi monitoruar gjendjen, por qeveria dhe Parlamenti juaj po bashkëpunojnë, që të kapërcehen ato vërejtje që janë bërë. Natyrisht, kërkohet edhe lufta ndaj korrupsionit, gjithashtu lufta ndaj kriminalitetit përmes ndërhyrjeve dhe reformave. Reforma, të cilat kanë nisur edhe falë mbështetjes italiane dhe që duhet të vijojnë në këtë rrugë”, vijoi më tej Grasso.
Beti Njuma: Ju keni qenë prokuror i antimafias në një periudhë të vështirë si për Italinë dhe për Shqipërinë. Cilat kanë qenë lidhjet e krimit të organizuar mes dy vendeve?
“Kur unë kam qenë prokuror i antimafias, kishte gjurmë të këtyre marrëdhënieve veçanërisht me rajonin e Pulias. Këto lidhje sigurisht kanë ekzistuar. Unë shpresoj, që sot të mos jenë më aq intensive sa dikur. Fenomeni i skafistëve, që merreshin me trafiqe dhe transportonin drogë dhe marijuanë, nga njëri breg në tjetrin, është një fenomen që shfaqet si dikur”, shpjegoi kreu i Senatit italian.
Beti Njuma: Në Shqipëri kemi një problem të jashtëzakonshëm, pasi sistemi gjyqësor te ne konsiderohet si sistemi më i korruptuar në vend. Çfarë duhet të bëjmë që drejtësia ta kthejë besimin te publiku?
“Para së gjithash është një problem njerëzish. Natyrisht, kontrollet janë të mundshme, po ashtu edhe hetimet në gjykata. Në Itali ekziston një pavarësi e Prokurorisë, e cila u jep mundësi prokurorëve të hetojnë vet kolegët e tyre gjykatës, ata të cilët dyshohen se nuk e zbatojnë ligjin, njësoj për të gjithë, që japin një drejtësi të pjesshme kundrejt një pagese. Në këtë aspekt, unë mendoj se duhet të shtohet pavarësia dhe autonomia e organeve hetimore, e gjykatave, por edhe e policisë dhe, në të njëjtën kohë, të përpiqeni t’u jepni më shumë instrumente dhe më shumë burime për të vepruar, dhe për ta kryer sa më mirë detyrat e tyre”, këshilloi ish-prokurori italian i Antimafias.
Beti Njuma: A mund të luftohet korrupsioni në radhët e drejtësisë, për sa kohë vet drejtësia është nën akuzë, si sistemi më i korruptuar në vend?
“Më duhet të them se edhe në Itali e kemi këtë problem. Ditën e parë që hyra në Senat, si senator i thjeshtë, prezantova një projektligj për ta luftuar në mënyrë edhe më të efektshme korrupsionin. Por, jo vetëm korrupsionin, por edhe krimet e tjera, që kanë lidhje me të, si për shembull evazionin fiskal. Sigurisht, kush është i korruptuar nuk e deklaron burimin e korrupsionit. Po ashtu edhe krimin e riciklimit, që është fryt i fshehjes së parave, që kanë burim korrupsionin. Kështu, lind nevoja të gjenden instrumente legjislative për ta luftuar në mënyrë më të efektshme korrupsionin. Krahas kësaj, duhen marrë masa për të bërë transparencë. Çdo gjykatës duhet të sillet sikur të ishte në një shtëpi xhami, në mënyrë që të kontrollohet për fitimet e tij, në momentin që nis të ushtrojë funksionin e gjyqtarit dhe fitimet që deklaron dora-dorës gjatë kohës që ushtron detyrën e tij. Faza e kontrollit paraprak është po aq e rëndësishme, sa ajo e zbulimit të vet korrupsionit. Për fat të keq, ky problem është i lashtë sa vetë njerëzimi. Ndaj, lipset të punohet për të ngritur vlerat kulturore dhe sociale, ato vlera morale që etika e cilitdo profesion i kërkon, e sidomos në gjyqësor dhe politikë. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme në kohërat tona, sepse njerëzit tregohen gjithmonë e më shumë të dorëzuar dhe indiferentë. Ndaj, duhet që të gjithë të bashkëpunojnë për të evidentuar ata, që nuk janë në lartësinë e duhur morale për shoqërinë tonë të së ardhmes. Ne duhet të jetojmë me këtë shpresë, pa mospërfillje dhe pa u dorëzuar”, përfundoi Pietro Grasso, president i Senatit italian.
Top Channel