Liderët e subjekteve politike janë pajtuar që Parlamenti i Kosovës të
shpërndahet të mërkurën dhe që vendi të shkojë në zgjedhje të
parakohshme parlamentare. Vendimi u mor në një takim që liderët patën me
presidenten Atifete Jahjaga.

Kosova po shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare pasi Kuvendi e ka të pamundur të miratojë formimin e Forcave të Armatosura, për shkak të kushtëzimit që vunë minoritetet duke kërkuar vendet e rezervuara.

Pak para takimit të liderëve në Presidencë, kryeministri Hashim Thaçi deklaroi se është i pakuptimtë funksionimi i një Kuvendi që nuk mund të marrë vendime të rëndësishme.

“Jemi pajtuar të nisim proçedurat për shpërndarjen e Kuvendit, në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje më 8 qershor”, deklaroi Thaçi.

“Si LDK jemi pajtuar me iniciativën që nesër të mbahet seanca për shpërbërjen e Kuvendit dhe jemi pajtuar që në qershor të mbahen zgjedhjet”, tha nga ana tjetër kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

“Kemi biseduar për variantin si të shkojmë në zgjedhje. Janë disa variante, dorëheqja e kryeministrit, mocioni i mosbesimit dhe varianti i shpërndarjes së Kuvendit. Ne do të përkrahim shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës”, tha më pas Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

“Aleanca Kosova e Re ka shprehur brengosjen e thellë me faktin e organizmit të shpejtë të zgjedhjeve. Gjithësesi, edhe nesër kemi një takim që të shqyrtohet sërish mirë data e zgjedhjeve”, u shpreh edhe nënkryetarja e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila.

Në këtë takim me presidenten kanë munguar lëvizja Vetëvendosje e cila nuk është ftuar, si dhe subjektet e minoriteteve. Një takim i këtij formati do të mbahet edhe të mërkurën paradite, kur pritet edhe mbledhja e Kryesisë së Kuvendit për të thirrur seancën e jashtëzakonshme.

Në takimin e iniciuar nga udhëheqësit e partive politike parlamentare, presidentja Jahjaga u informua nga ata për gjendjen në Kuvendin e Kosovës, për pamundësinë e vazhdimit të marrjes së vendimeve të rëndësishme për proceset e vendit, përfshirë pamundësinë e votimit për Forcën e Armatosur të Kosovës, dhe nevojën e shpërndarjes së Kuvendit me qëllim të mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme në vend.

“Sot prita takimin me kërkesën e liderëve. Më informuan për hapat që do të marrin në vijim për zgjedhjet e parakohshme. Si presidente e Republikës së Kosovës unë do të vazhdoj të jem faktor i unitetit në vend. Respektoj vendimin e Kuvendit, i cili është dhe hapi i parë që më detyron mua si presidente e vendit”, deklaroi Jahjaga pas takimit.

Kuvendi i Kosovës përbëhet nga 120 deputetë, ndërsa për shpërndarjen e Parlamentit nevojiten dy të tretat e votave apo së paku 80 deputetë.

Nëse lëvizja Vetëvendosje dhe deputetët e minoriteteve nuk e votojnë mocionin për shpërndarje, marrëveshja e liderëve dështon, ndërsa në atë rast pritet dorëheqja e qeverisë dhe shkuarja direkt në zgjedhje. Deri tani, data e propozuar për zgjedhjet e parakohshme mbetet 8 qershori.

Shpërndarja e Parlamentit, VV kundër
Akuzon LDK-në se po amniston Thaçin

Lëvizja Vetëvendosje nuk mbështet shpërndarjen e Parlamentit të Kosovës. Përfaqësuesit e saj nuk kanë marrë pjesë dhe nuk kanë qenë as të ftuar nga presidentja Atifete Jahjaga, në takimin e liderëve të partive politike.

Sekretari organizativ i VV, Dardan Mulliqaj, veprimin e Jahjagës për mungesën e ftesës e ka vlerësuar si shkelje të rregulloreve. Sipas Molliqaj, Vetëvendosja nuk e mbështet shpërndarjen e Parlamentit, duke thënë se me këtë, LDK-ja po ia mundëson amnistinë Thaçit. Sipas tij, rruga e mocionit është zgjedhja më e drejtë.

“Marrëveshja Thaçi-Mustafa, e cila mund të ishte bërë më parë për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, si mënyrë për shkuarjen në zgjedhje përmes kësaj shpërbërjeje për ne është totalisht e papranueshme, për shkak se mendojmë se përgjegjësinë për gjithçka ka ndodhur në këtë mandat të qeverisë dhe të këtij Kuvendi, para së gjithash dhe mbi të gjitha e ka qeveria e Kosovës. Ne jemi kundër dhe vazhdojmë të mbesim pro asaj se rruga e duhur për të shkuar në zgjedhje të parakohshme është rruga përmes mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Thaçi dhe mendojmë se këtë duhet ta bëjmë përsëri, për shkak se shpërbërja e Kuvendit e adreson sikur problemin ta ketë Kuvendi dhe jo qeveria”, u shpreh Dardan Molliqaj, sekretari organizativ i LëvizjesVetëvendosje.

Këto komente, ai i bëri në një konferencë për media, me të cilën njoftoi se anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Adnan Rustemi, është sulmuar fizikisht në Lipjan.

Top Channel