
Udhëtimi i Kancelares gjermane Angela Merkel në Uashington është perceptuar në mediat vendase si përpjekje për bashkim forcash kundër Rusisë.
Momenti i kësaj vizite, në fakt është i vështirë për marrëdhëniet transatlantike, të cilave skandali i NSA-së u ka shkaktuar një çarje të thellë.
Për Deutsche Welle, shefja e ekzekutivit gjerman dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara ndodhen përpara sfidës më të madhe që prej rënies së murit të Berlinit.
Çështja e përgjimeve zuri papritur më tepër rol në ndalesën e Merkelit nga sa do të kishte dashur mikpritësi amerikan.
Para kamerave dhe në kohën më të mirë të transmetimit, në konferencën e përbashkët për shtyp në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, Merkel dhe Obama folën për dialog kibernetik, një lëshim ky për të cilin kancelarja kishte nevojë, në mënyrë që të ruante fytyrën në politikën e brendshme në Gjermani, sepse një marrëveshje anti-përgjim, siç është kërkuar nga gjermanët, nuk do të ketë.
Por Vladimir Putin duket se po i zbut pak tensionet mes dy vendeve. Merkel dhe Obama dërguan së bashku një sinjal të qartë uniteti në drejtim të Moskës, ndërsa theksuan se për ta zgjedhjet presidenciale në Ukrainë në 25 maj, mbeten një gur i rëndësishëm prove. Nëse Putin do të vazhdojë të destabilizojë vendin si deri tani dhe të bëjë të pamundur mbajtjen e zgjedhjeve, Europa dhe Amerika do të vendosin të bashkuar masa te reja ndëshkuese për Moskën, ishte mesazhi i tyre nga Uashingtoni.
Në formulimin e një politike të re globale të jashtme dhe të sigurisë, Gjermania mbetet bashkëbiseduesi i parë i amerikanëve. Kjo vlen edhe për negociatat për një zonë tregtie të lirë transatlantike, te cilat u lanë megjithatë disi në hije gjatë kësaj vizite të kancelares.
Top Channel