Ukrainë, blic në zonat e separatistëve

02/05/2014 00:00

Forcat qeveritare të Ukrainës po kryejnë një operacion “anti-terror” në qytetin lindor të Slovianskut, ka njoftuar qeveria në Kiev. Aktualisht raportohet për dy helikopterë të rrëzuar nga militantët pro-rusë dhe një pilot të kapur rob.

Ndërsa më herët, ministri i Brendshëm Arsen Avakov deklaroi se një pilot helikopteri ishte vrarë dhe persona të tjerë ishin plagosur nga një raketë anti-ajrore e qëlluar nga rebelët pro-rusë.

Por, sipas tij, trupat ukrainse kanë arritur të marrin nën kontroll 9 postoblloqe të rebelëve. Nga ana tjetër, separatistët në tre postoblloqe të Slovianskut kanë thënë për BBC se ata kanë ende nën kontroll zonën.

Luftimet duket se janë përqendruar në periferi të qytetit, raporton korrespondenti i BBC në kryeqytetin rajonal të Donetskut. Qyteti konsiderohet një bastion i militantëve pro-rusë që po e rrisin gjithmonë e më shumë praninë në rajon.

Ndërkohë, Moska zyrtare ka reaguar ndaj operacionit të trupave ukrainase në lindje të vendit, duke i kërkuar OSBE-së që të marrë masa për të ndalur “operacionin ndëshkues” të autoriteteve të Kievit.

Lajmin e ka bërë të ditur nga Viena përfaqësuesi rus i OSBE-së, Andrei Kelin, i cituar nga agjencia e lajmeve “Itar-Tass”. Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit ka deklaruar se operacioni shkel marrëveshjet e Gjenevës.

“Duke përdorur aviacionin për të qëlluar në lokalitetet e civilëve, regjimi i Kievit ka nisur një operacion ndëshkues duke shkatërruar të gjitha shpresat për zbatimin e marrëveshjeve të Gjenevës”, ka deklaruar zëdhënësi i Putin, Dmitry Peskov.

Ndërkohë, Moska deklaron se ka humbur kontaktet me të dërguarin e saj Vladimir Lukin, që kishte mbërritur të enjten në jug-lindje të Ukrainës për të negociuar lirimin e mundshëm të vëzhguesve ushtarakë të OSBE-së, që u arrestuan nga pro-rusët në Sloviansk.

Televizioni shtetëror rus “Rossiya 24” më herët deklaroi se qyteti po “bastisej”. Të mërkurën, Ministria e Jashtme ruse paralajmëroi se çdo operacion do të kishte “pasoja katastrofike”.

Ndërsa presidenti i Ukrainës, Olexandr Tuchynov futi sërish në fuqi shërbimin e detyrueshëm ushtarak, për t’u përballur me sigurinë e degraduar në lindje të vendit.

Lëvizja, e shpallur me një dekret, erdhi teksa militantët pro-rusë morën nën kontroll zyrën e prokurorit rajonal në Donetsk, ku shumica e ndërtesave qeveritare tashmë është nën kontrollin e tyre.

Top Channel