
Të paktën 18 persona, përfshirë 11 fëmijë, janë vrarë në dy sulme
vetëvrasëse në provincën siriane të Hamas, raporton media shtetërore
lokale.
Sipas njoftimit, “shpërthimet terroriste” u regjistruan në Xhibrin, në veri-lindje të qytetit të Hamës dhe në lokalitetin tjetër Al Humeiri. Fshatrat në fjalë janë nën kontrollin e forcave të qeverisë.
Sulmet vijnë disa ditë pasi shumë persona u vranë dhe plagosën në shpërthime të ngjashme në zonat e kontrolluara nga qeveria në qytetin e Homsit.
Deri më tani nuk ka pasur asnjë marrje të përgjegjësisë për shpërthimet, por rebelë të anëtarësuar në rangjet e Al Kaedës, të cilët i përkasin Frontit Nusra, kanë kryer sulme të tilla në javët e fundit.
Grupet për të drejtat e njeriut deklarojnë se si qeveria e presidentit Bashar al Assad ashtu edhe rebelët që luftojnë për ta rrëzuar atë po vrasin civilët.
Hama ka parë disa nga demonstratat më të mëdha kundër presidentit Assad në muajin e parë të kryengritjeve, që filluan pas marsit 2011. Por nga fundi i verës së këtij viti, forcat e sigurisë bastisën qytetin dhe që atëherë e kanë atë nën kontroll të plotë.
Hama përbën një pjesë të rëndësishme në historinë e Sirisë moderne. Në vitin 1982, presidenti i atëhershëm Hafez al Assad, babai i Bashar, dërgoi atje trupat ushtarake për të shtypur një kryengritje të opozitës sunite, Vllazëria Myslimane. Dhjetëra mijëra persona mbetën të vrarë dhe qyteti përfundoi në flakë.
Dhuna në Hama vjen teksa qeveria ka vënë në shënjestër zonat e kontrolluara nga rebelët në qytetin verior të Alepos, të cilat i ka sulmuar me sulme të ashpra ajrore me qëllim që trupat e saj tokësore t’i japin fund bllokimit të rebelëve.
Top Channel