
Ekonomia amerikane regjistroi rritjen më të madhe të punësimit në muajin prill, duke krijuar 288 mijë vende të reja pune.
Shifra është më e larta që nga janari i vitit 2012. Sektorët që kanë hapur më shumë vende të reja pune janë bizneset e shërbimit, plot 75 mijë të tilla.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Departamenti i Punës papunësia ra në 6.3 përqind. Por ekonomistët zbehin entuziazmin. Ata flasin për një rënie të krahut të punës në përgjithësi.
Megjithatë 6.3 përqindëshi është niveli më i ulët i papunësisë në ekonominë amerikane e regjistruar që nga shtatori i vitit 2008, kur kriza ekonomike sapo kishte nisur.
Shifrat tregojnë që ekonomia amerikane po e rimerr veten pas dimrit të ashpër, që fajësohet nga autoritetet dhe specialistët për rënien e rritjes ekonomike në 0.1 përqind në 3-mujorin e parë të këtij viti.
Ekonomistët thonë se të dhënat e fundit të rritjes së konsumit dhe të prodhimit industrial sugjerojnë se ekonomia po rikthehet në shinat e qëndrueshmërisë pas goditjes së dyfishtë të marrë nga kriza dhe koha e keqe.
Të mërkurën “Federal Reserve” vazhdoi sipas planit shkurtimin e stimulimit të ekonomisë. Banka qendrore amerikane tha se do të vazhdojë të blejë bonde, por jo më në vlerat 100 miliard dollarë, por nga 10 deri në 45 miliard dollarë.
Prej më shumë se një viti, “Federal Reserve” blen bono për të mbajtur normat e interesit afatgjata në nivele të ulëta dhe të stimulojë aktivitetin ekonomik.
Top Channel