Punësimi, pikiatë në vitin 2013

02/05/2014 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se
shifrat e punësimit pësuan përkeqësim dramatik vitin e kaluar, ku mbi
125 mijë shqiptarë humbën punën.

Sipas INSTAT, numri total i të punësuarve në ekonomi ra nga 1 milionë e 117 mijë vetë që ishte në 2012 në 992 mijë një vit më parë.

Kjo është rënia me e fortë e regjistruar ndonjëherë vitet e fundit, e cila ka nxjerrë jashtë tregut të punës më shumë se një person në çdo dhjetë veta dhe pjesa dërrmuese e tyre janë të punësuar pa pagesë në bizneset e familjes apo dhe të vetëpunësuar. Sipas INSTAT, rënia ka prekur të gjithë sektorët e ekonomisë por më e thellë ka qenë në bujqësi, ndërtim dhe tregti e turizëm.

Të dhënat tregojnë se në bujqësi numri i të punësuarve u ul nga 529 mijë vetë që ishte në 2012-ën  në 442 mijë vitin e kaluar, çka do të thotë se gati 90 mijë vetë në fshat vitin e kaluar kanë humbur punën e tyre. 

Por të njëjtën tendencë ka patur edhe ndërtimi, një sektor i cili prej vitesh është i ndrydhur nga kriza. Sipas të dhënave,vitin e kaluar në ndërtim humbën punën mbi 20 mijë vetë dhe po në të njëtën masë shifrat e punësimit kanë rënë edhe për sektorin e tregtisë dhe turizmit.

Të dhënat e tregut të punës tregojnë se pjesa dërrmuese e të punësuarve në Shqipëri, rreth 700 mijë vetë, janë të punësuar pa pagesë në bizneset e familjes ose të vetëpunësuar. Këta janë persona që nuk marrin një pagë, por për shkak të përkufizimeve zyrtare klasifikohen si të punësuar.

Një pjesë e tyre madje punon edhe më orë të shkurtra, çka i ndërlikon ja pak shifrat e punësimit në vend dhe dhënien e një pamje të qartë mbi atë që ndodh në tregun e punës. Organizata Botërore e Punës pritet që së shpejti të qartësojë disa prej përkufizimeve zyrtare që përdoren në matjen e papunësisë, çka në Shqipëri pritet të sjellë ndryshime të forta në shifrat e tregut të punës.

Top Channel