Komisioni Europian dhe qeveria e Kosovës përmbyllën negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, duke miratuar kështu një tekst – siç u tha voluminoz, – i  përbërë nga 10 tituj, 6 anekse dhe 5 protokolle.

Një hap i rëndësishëm ky, që u vlerësua deri në këtë fazë, por për nënshkrimin e marrëveshjes duhet ende kohë. Zyrtarët qeveritarë dhe të Komisionit Europian nuk presin që procesi të bllokohet nga pesëshja, që nuk e ka njohur pavarësinë.

Ndërsa pritet që inicialet të vendosen gjatë verës, Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave të BE-së janë dy mekanizmat, që do të vlerësojnë arritjet e kësaj faze. Në takimin e tretë dhe të fundit, kryeministri Hashim Thaçi vlerësoi se, ky moment largon çdo dyshim dhe vulos përcaktimin strategjik të Kosovës, për të qenë anëtar i Bashkimit Europian.

I rëndësishëm është edhe roli, që marrëveshja do të ketë në liberalizimin e tregut të Kosovës me BE-në.

“Marrëveshja e negociuar do të ofrojë hapjen e plotë të tregut të Bashkimit Europian për bizneset tona dhe njëkohësisht do të ofrojë edhe mbrojtje të vecantë për zhvillimin e bizneseve të vogla e të mesme, të cilat kanë potencial zhvillimi në krijimin e vendeve të punës në Kosovë. Në këtë drejtim, MSA do të jetë shtyllë e rëndësishme e mbështetjes së axhendës zhvillimore dhe performuese të Kosovës”, u shpreh Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.

“Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është fillimi i rrugës drejt Europës. Studimi i fizibilitetit, raporti i progresit i vitit të kaluar dhe, ndërkohë, puna e bërë nga qeveria juaj, ka identifkuar një sërë prioritetesh si sundimi i ligjit, reforma në administratën publike, zgjedhjet e lira, qeverisja demokratike, respektimi i të drejtave të minoriteteve, etj. Komisioni Europian është i gatshëm të ndihmojë Kosovën në këto reforma”, deklaroi Jean Eric Paquet, shef i negociatave për MSA-në me Kosovën.

I pyetur nga gazetarët për rolin e pesë vendeve anëtare, Paquet kujtoi se në Qershor të vitit të kaluar, në mesin e vendeve anëtare ka ekzistuar pajtimi për nisjen e negociatave me Kosovën. Sipas tij, kjo nënkuptohet se vendet e BE-së nuk kanë dashur thjesht negociata, por arritjen e marrëveshjes me Kosovën.

Kryenegociatorja e palës kosovare, Vlora Çitaku, theksoi se tashmë gjithçka është në duart e BE-së, pasi Kosova e ka bërë punën e saj.

“Ne presim që brenda pak muajsh, gjatë verës, të vendosim edhe inicialet në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, dhe menjëherë pas vendosjes së tyre do të kalojë një kohë tjetër me procedura të tjera, për të pasur edhe nënshkrimin”, u shpreh Vlora Çitaku, ministre e Integrimit Europian.

Kosova ka nisur negociatat me Komisioni Europian për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në Tetor të vitit të kaluar.

Top Channel