
“Ne i mbajmë duart në xhepa, sepse i ruajmë që të mos na vjedhë kjo Qeveri”. Kështu i është kundërpërgjigjur kritikave të kryeministrit Thaçi, lideri i LDK-së Isa Mustafa, në një konferencë për media.
Ndërsa ka pohuar se, të gjitha kritikat në adresë të LDK-së po bëhen pasi kjo parti paraqet fituesin potencial, Mustafa – po ashtu – ka thënë se në takimin me liderët janë pajtuar që zgjedhjet të mbahen në Qershor.
Ai tha se liderët do të takohen prapë të hënën. Sipas tij, i mbetet kryeministrit Thaçi, që të mobilizojë dhe të sigurojë votat e koalicionit qeverisës, për shpërndarjen e Kuvendit. Në të kundërt, ai tha se LDK do të iniciojë mocion për shkarkimin e qeverisë.
“Mbetet te kryeministri Thaçi, t’i sigurojë votat e koalicionit qeverisës, që të arrihen kuorumi 80 për shpërndarjen e Kuvendit. Ne do të bisedojmë edhe të hënën. Është një takim që do ta mbajmë. Do të merremi vesh lidhur me procedimin”, tha Isa Mustafa, kryetar i LDK-së.
Zoti Mustafa ka ritheksuar se qëndrimi i partisë së tij është pro formimit të Forcave të Armatosura, por kundër zgjatjes së mandatit të vendeve të rezervuara.
“Hashim Thaçi nuk ka asnjë argument para qytetarëve të Republikës së Kosovës, që është në interes të qytetarëve, që të zgjaten vendet e rezervuara edhe për një apo dy mandate. Zoti Thaçi është duke bërë gjimnastikë me vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, me të cilin unë mendoj se s’do të mund t’ia dalë. Është duke u sjellur shumë keq ndaj interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës, sepse nuk është në interesin tonë, që të rrudhen vendet e popullatës shumicë në Kuvendin e Kosovës dhe të zgjerohen vendet të popullatës pakicë”, Isa Mustafa.
Mustafa ka folur edhe për arrestimet e fundit në AKP, në të cilat është i përfshirë dhe deputeti i LDK-së, Naser Osmani. Ai tha se drejtësia duhet të bëjë punën e vet, por nuk guxon të bëjë selektime.
Top Channel