
Rreth 170 biznese italiane do të eksplorojnë mundësitë e investimit në vendin tonë në fusha si energjia, turizmi, industritë përpunuese dhe bujqësia.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj dhe ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani prezantuan edicionin e parë të ‘Javës Italiane’ në Shqipëri, që për dy ditë do të mbledhë në Tiranë dhe Vlorë kompani të ndryshme italiane, me qëllim prezantimin e mundësive të shtrirjes së biznesit të tyre edhe në vendin tonë.
Duke iu referuar ndryshimit të sistemit të taksimit, Gaiani tha se nuk ka ndikim të konsiderueshëm në mënyrën si biznesi italian sheh mundësitë e investimit në Shqipëri, por cilësoi si tejet të rëndësishme sigurinë që ofrohet dhe kushtet e rregullat e njëjta për të gjithë.
Ambasadori tha se disa prej bizneseve italiane janë të interesuar të prodhojnë në vendin tonë dhe në këtë pikë vlerësoi krahun e punës me cilësi të lartë dhe kosto të përshtatshme, sic u shpreh ai.
Aktiviteti do të jetë i organizuar në formën e kontakteve të drejtpërdrejta biznes me biznes, ku sipërmarrësit italianë do të kenë mundësi të takojnë biznese shqiptare, si potenciale të mundshme për bashkëpunim në të ardhmen.
Top Channel