Hagel: Aleatët e NATO-s të rrisin buxhetet

02/05/2014 00:00

Veprimet e Rusisë në Ukrainë kanë thyer mitin e sigurisë së Europës, në periudhën pas Luftës së Ftohtë, dhe nënvizojnë rrezikun që aleatët e NATO-s kanë krijuar me dështimin për të përmbushur angazhimet e tyre për shpenzimet për Mbrojtjen, bëri të ditur Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, të premten.

Shefi i Pentagonit, në një fjalim mbi të ardhmen e aleancës 28-kombëshe, tha se pushtimi dhe aneksimi i gadishullit të Krimesë nga Rusia dhe veprimet e tjera në rajon po i “kujtojnë NATO-s qëllimin themelor” dhe “përfaqësojnë një moment qartësimi për aleancën trans-atlantike”.

Ai ngriti gjithashtu një shqetësim të përhershëm të SHBA-ve në lidhje me shpenzimet e mbrojtjes së NATO-s, duke theksuar se shpenzimet e amerikanëve për sigurinë janë 3 herë më të mëdha se sa shifra e mbledhur së bashku e 27 partnerëve të saj, edhe pse realisht Produkti i Brendshëm Bruto i SHBA-ve është më i vogël se sa GDP-ja totale e aleancës së Atlantikut të Veriut.

“Kjo barrë e njëanshme kërcënon integritetin e NATO-s, kohezionin e kapacitetin dhe, së fundi, edhe sigurinë europiane e transatlantike”, tha Hagel në fjalimin në Qendrën Ndërkombëtare “Woodrow Wilson” në Uashington. “Ne duhet të rishikojmë angazhimet financiare të të gjithë vendeve anëtare të NATO-s”.

Vetëm 4 prej aleatëve të NATO-s përmbushin objektivin e tyre të dakordësuar prej 2% të GDP-së për Mbrojtjen gjatë vitit 2013, Estonia, Greqia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara. Franca dhe Turqia janë strukur turpshëm nga objektivi pre 2%.

Hagel tha se një nga pengesat më të mëdha të investimeve në Mbrojtje ishte sensi se perspektiva e konflikteve mes kombeve është zhdukur me mbarimin e Luftës së Ftohtë.

“Veprimet e Rusisë në Ukrainë kanë rrëzuar mitin dhe janë shoqëruar me krijimin e realiteteve të reja”, tha ai. Duke parë veprimet e Moskës në Ukrainë, NATO në të ardhmen “mund të presë nga Rusia të testojë qëllimin parësor të aleancës sonë, qëndrueshmërinë dhe angazhimin tonë”, shtoi ai.

“Nuk mund ta konsiderojmë si dhuratë, madje edhe në Europë, se paqja është siguruar nga një frenim i besueshëm i fuqisë ushtarake”, tha shefi amerikan i Mbrojtjes, duke bërë thirrje për një koordinim më të madh mes aleatëve mbi investimet e Mbrojtjes, ashtu si dhe rritjen e nivelit të shpenzimeve.

***

Ndërkohë, shefja e BE-së për Politikën e Jashtme, Catherine Ashton, theksoi gjatë së premtes se është diçka jetësore reduktimi i dhunës dhe i ndërtesave të pushtuara në Ukrainën e prekur nga kriza.

“Është thuajse jetësore fakti që nuk duhet të shohim më dhunë të vazhdueshme, është po aq jetësore që të shohim një tërheqje të trupave që kanë pushtuar ndërtesat e administratës qendrore e lokale në Lindje të Ukrainës”, tha ajo gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, në Berlin.

“Më e rëndësishmja nga të gjitha, siç u kam thënë të gjithëve, është që të shohim funksionimin e “Rada”-s (parlamentit), si vendi i duhur ku të gjithë përfaqësuesit e popullit ukrainas të punojnë së bashku”.

Steinmeier bëri thirrje për implementimin urgjent të marrëveshjes së arritur në Gjenevë, muajin e kaluar, mes Ukrainës, Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, për të ulur tensionet në Ukrainë.

Nga Bashkimi Europian, të premten ka dalë me një deklaratë mbi situatën në Lindje të Ukrainës edhe zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Kocijancic, e cila tha se BE po ndjek me vëmendje dhe shumë shqetësim zhvillimet e fundit, duke u bërë thirrje separatistëve pro-rusë të largohen menjëherë nga ndërtesat e zaptuara dhe të lirojnë pengjet e marra.

“Jemi duke ndjekur me shqetësim gjithnjë e në rritje ngjarjet në Lindje të Ukrainës”, tha Maja Kocijancic. BE ka bërë thirrje për t’i dhënë fund “veprimeve të paligjshme” nga grupet e armatosura separatiste. “Ndërtesat e pushtuara duhet të lirohen, të gjithë personat e mbajtur në mënyrë të paligjshme duhet të lirohen gjithashtu, përfshi këtu edhe vëzhguesit ushtarakë të OSBE-së”, tha ajo.

Ndërkaq, edhe Ministria e Jashtme ruse ka reaguar të premten, duke iu drejtuar fuqive Perëndimore të heqin dorë nga politika “destruktive” me Ukrainën, si dhe nxiti Kievin të ndalë “operacionet ndëshkuese” në jug-lindje të vendit.

“Këto sugjerime do të lejojnë nisjen e një procesi real për uljen e tensioneve”, bënte të ditur Ministria në deklaratën e saj, ku shtohej se Perëndimi po pengon efektivisht një zgjidhje paqësore të krizës ukrainase, pasi po mbështet autoritetet e Kievit.

Top Channel