Gjermania, kundër dëshmisë së Snowden

02/05/2014 00:00

Qeveria gjermane ka dalë kundër thirrjes në Berlin të ish-kontraktorit të Agjencisë amerikane për Sigurinë Kombëtare (NSA), Edward Snowden, si një dëshmitar në hetimin parlamentar mbi spiunazhin amerikan, duke sugjeruar se ky veprim mund të dëmtojë marrëdhëniet me Uashingtonin.

I arratisuri i drejtësisë amerikane, Snowden, fitoi të drejtën për azil në Rusi vitin e kaluar, pasi kishte ekspozuar detajet mbi programet amerikane të përgjimeve masive, brenda dhe jashtë vendit. Është konsideruar thuajse e pamundur që ai të shkelë në ndonjërin prej vendeve aleatë të SHBA-ve, si Gjermania, për shkak të rrezikut që ai të arrestohet dhe të ekstradohet më pas në SHBA për t’u gjykuar.

Por, në një raport, qeveria gjermane e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të shohë Snowden-in të vijë e të dëshmojë në Parlament, pasi kjo “do të kishte një impakt të madh negativ mbi marrëdhëniet gjermano-amerikane, veçanërisht për bashkëpunimin me inteligjencën amerikane”.

Gjithsesi, Snowden mund të japë dëshminë e tij nga jashtë, thuhej në raport, duke shtuar se interesat gjermane të sigurisë duhet të mbizotërojnë mbi hetimin parlamentar të tij.

Një raport i bashkangjitur, i dërguar nga një firmë juridike amerikane për Ambasadën gjermane në Uashington, bënte të ditur se Shtetet e Bashkuara “kanë juridiksion për të hetuar krimet e ndodhura në Gjermani, Rusi apo kudo tjetër, nëpërmjet të cilave janë zbuluar informacione të klasifikuara për SHBA-të”.

Kjo do të përbënte një shkelje ligjore nga çdo anëtar i Parlamentit, nëse do të bënte publik informacione sekrete të SHBA-ve, siç mund të ndodhë në rast dëshmie nga Snowden. Raporti shtonte se Uashingtoni mund të respektojë imunitetin e ligjvënësve gjermanë, por nuk shihet e nevojshme për ta bërë këtë gjë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel është në Uashington, ku do të takohet me presidentin amerikan Barack Obama, por një marrëveshje “kundër-spiunimit” – të cilën ajo e kërkoi vitin e kaluar pas publikimit të raporteve se NSA kishte përgjuar edhe telefonin e saj, – nuk pritet të arrihet.

Raporti i qeverisë gjermane thekson gjithashtu se, nëse Snowden do të udhëtonte drejt Gjermanisë, Berlini do të ishte ligjërisht i detyruar ta ekstradonte atë drejt Shteteve të Bashkuara. Christiane Wirtz, një zëdhënëse e qeverisë gjermane, tha se gjithçka do të lihet në dorë të Komisionit Hetues, për të vendosur nëse do ta ftojë Snowden-in apo jo.

Top Channel