Egjipt, përkeqësohet situata para zgjedhjeve

02/05/2014 00:00

Dy shpërthime kamikaze në gadishullin jugor të Egjiptit, Sinai, vranë 1 ushtar dhe plagosën të paktën 7 të tjerë gjatë së premtes, në më pak se 4 javë nga zhvillimi i zgjedhjeve presidenciale, bëjnë të ditur burime zyrtare.

Në një episod tjetër dhune, një polic është vrarë nga një sulm me bombë në Kajro, ndërsa në qytetin-port të Aleksandrisë 2 persona janë qëlluar për vdekje, kur mbështetësit e presidentit të rrëzuar, Mohamed Morsi, u përplasën me rezidentët.

Sulmet e militantëve dhe dhuna politike janë përshkallëzuar që kur ushtria rrëzoi Morsi-n përmes një grush-shteti, liderin e Vllazërisë Muslimane gjatë Korrikut të kaluar për shkak të protestave masive kundër regjimit të tij.

Ish-shefi i ushtrisë, Abdel Fattah al-Sisi, i cili udhëhoqi rrëzimin e tij, pritet të fitojë zgjedhjet presidenciale të 26-27 Majit.

Sulmi vrasës i së premtes në El-Tur, një qytet në udhëkryqin kryesor mes Kajros dhe rezortit turistik të Sharm El-Sheikh, la të vdekur një tjetër ushtar, por edhe vet agresorin. 3 policë dhe një ushtar u plagosën nga ky sulm, bëri të ditur Ministria e Brendshme përmes një njoftimi.

4 egjiptianë u plagosën në një sulm të dytë, më në jug të vendit, në rrugën midis El-Tur dhe Sharm El-Sheikh, njoftoi gjithashtu Ministria e Brendshme dhe burime të sigurisë.

Një zëdhënës i governoratit të provincës së Sinait Jugor, duke folur për televizionin CBC, i identifikoi të plagosurit si punonjës të një kompanie turistike. Ministria e Brendshme tha se ata ishin punëtorë fabrike.

Një tjetër bombë vrau një polic në një postobllok sigurie pranë Gjykatës në Kajro, thanë burimet e sigurisë. Të paktën 4 policë u plagosën. Ushtria ka nisur një fushatë të gjerë kundër grupeve të armatosura islamike në Sinain Verior.

Influenca e grupeve të tilla u zgjerua në këtë zonë pas trazirave të vitit 2011, të cilat rrëzuan nga Presidenca Hosni Mubarak. Muajin e kaluar, ushtria egjiptiane tha se kishte marrë kontrollin e plotë të gadishullit të Sinait.

Edhe pse sulmet e fundit kanë shënjestruar kryesisht forcat e sigurisë, 3 koreano-jugorë janë vrarë në Shkurt, kur një bombë anash rruge goditi një autobus turistësh në Sinain Jugor, pranë kufirit me Izraelin.

Turizmi është një burim i rëndësishëm i valutës së huaj për ekonominë e Egjiptit, por numri i turistëve ka rënë gjithnjë e më shumë gjatë këtyre 3 viteve trazirash politike.

Top Channel