
Zyrtari që po drejton kërkimet për avionin e zhdukur të “Malaysian Airlines” deklaroi se operacionet mund të zgjasin deri në një vit. Duke folur nga Malajzia, Angus Houston deklaroi se besonte se një “kërkim efikas” do ta gjejë avionin.
Autoritetet nga Australia, Kina dhe Malajzia do të takohen javën e ardhshme në Kanberra për të diskutuar mbi operacionet në fjalë. Takimi pritet të përcaktojë se cilat hapa do të ndiqen në fazat e ardhshme.
“Ky është një takim shumë i rëndësishëm sepse do të formalizojë hapat e mëtejshëm në mënyrë që këto operacione të vazhdojnë me urgjencë dhe të mos ndalojnë në asnjë fazë”, deklaroi Houston.
Zyrtari njoftoi se kërkimet në fund të detit do të zgjerohen në zonën ku, në bazë të të dhënave satelitore, besohet se avioni është rrëzuar.
“Me shumë gjasa kërkimet do të kërkojnë nga 8 deri në 12 muaj kohë, nëse do të kemi mot të keq apo probleme të tjera. Por ne jemi tërësisht të angazhuar për të gjetur avionin dhe jam i bindur se me një kërkim efikas do ta gjejmë”, tha ai.
Ndërkohë, një raport nga Ministria malajziane e Transporteve ka treguar një hendek prej 4 orësh kohë mes zhdukjes së avionit dhe nisjes së operacioneve të kërkimit.
Raporti ka zbuluar gjithashtu se kontrollorët e trafikut ajrore nuk e kuptuan që avioni u zhduk pa kaluar 17 minuta nga shkëputja e tij nga radari.
Të afërmit e viktimave kthehen në shtëpi
Kompania ajrore
“Malaysia Airlines” u ka kërkuar familjarëve të pasagjerëve që
ndodheshin në avionin e rrëzuar që të largohen nga hotelët e akomoduar
dhe të kthehen në shtëpitë e tyre.
Kompania njoftoi se po u siguron atyre kthimin në shtëpi dhe u ka premtuar se do t’i mbajë të informuar mbi operacionet e kërkimit.
Avioni u zhduk më 8 mars teksa fluturonte mbi Detin e Kinës Jugore, nga Kuala Lumpuri për në Pekin, me 239 persona në bord, shumica e të cilëve kinezë.
Autoritetet dyshojnë se ai u rrëzua kur ndodhej në perëndim të qytetit australian të Perthit, mijëra kilometra jashtë kursit të tij, por ende nuk dihet përse.
Operacionet shumëkombëshe të kërkimit deri tani nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të avionit. Ditën e e enjte, “Malaysia Airlines” tha në një deklaratë se, pavarësisht kërkimeve më të gjera në histori, fati i pasagjerëve të humbur dhe anëtarëve të ekuipazhit mbetet i paqartë”.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se, “”Malaysia Airlines” është e vetëdijshme për ankthin, shqetësimin dhe vuajtjet e të gjithë njerëzve që kishin të dashurit e tyre në atë avion”.
Top Channel