Afganistan, rreth 2 mijë të vdekur

02/05/2014 00:00

Të paktën 2.000 persona mendohet se kanë humbur jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjes së dheut në provincën veri-lindore të Badakshanit në Afganistan. Një pjesë e malit u plandos pas shirave të rrëmbyer duke mbuluar qindra shtëpi.

Sipas organizatës së OKB-së, deri tani janë nxjerrë trupat e pajetë të 350 personave. Aidan O Leri, kreu i operacioneve të OKB-së në Kabul i tha BBC-së se: “Të paktën 4.000 persona janë shpërngulur”.

Ndërsa Abdeul Kadir Sajad, zv/shefi i policisë në Badakshan i tha Reuters se personat që ndodheshin pranë zonës ku ndodhi tragjedia vrapuan për të dhënë ndihmën e tyre. Por – siç tha ai – nuk janë gjetur trupa të tjerë.

Rrëshqitja e dheut ndodhi të premten, një ditë pushimi në Afganistan dhe shumica e banorëve ndodheshin në shtëpitë e tyre bashkë me familjen.

Sipas autoriteteve, i gjithë fshati Hargu, ku jetojnë 251 familje, është mbuluar nga balta dhe shkëmbinjtë dhe në këto kushte është thuajse e pamundur gjetja e të mbijetuarve.

Badakshani ndodhet në një zonë të thellë malore në kufi me Taxhikistanin, Kinën dhe Pakistanin. Ai është një prej rajoneve më të varfër, në njërin prej vendeve më të varfër në botë. Do të duhen javë të tëra për të mësuar pasojat e katastrofës.

Top Channel