Një gjyqtar ndërkombëtar në Gjykatën Themelore të Prishtinës miratoi të mërkurën kërkesën e një prokurori të EULEX-it për vazhdimin e paraburgimit të Naser Kelmendit deri më 7 korrik 2014.

Naser Kelmendi është arrestuar në muajin maj 2013 në bazë të një urdhëri të lëshuar nga një prokuror ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale, i cili kishte filluar hetimet për këtë rast.

I pandehuri është duke u hetuar për krim të organizuar, vrasje dhe trafik droge. Për të njëjtat vepra ai ishte hetuar nga autoritetet shtetërore në Bosnje e Hercegovinë. Avokatët e tij kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi.

Gjyqtari i proçedurës paraprake vlerësoi se Prokuroria Speciale ka vërtetuar se ka arsye bindëse dhe të bazuara për të besuar se ekziston mundësia e kërcënimit me dhunë, gjë që arsyeton vazhdimin e jashtëzakonshëm të paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për të pandehurin.

Naser Kelmendi konsiderohet si një nga bosët më të mëdhenj të krimit të organizuar në Ballkan. Për shkak të aktiviteteve të tij kriminale në vendet perëndimore, Kelmendi kishte hyrë në listën e zezë të administratës amerikane.

Top Channel