Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje takimi i liderëve të partive
parlamentare shqiptare të Kosovës me ambasadoren amerikane në Prishtinë,
ku i pranishëm ka qenë edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian Samuel
Zhbogar.

Pas rreth tri orë bisedimesh, krerët e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe AKR-së dolën nga rezidenca e ambasadores Tracey Ann Jacobson, me të vetmin pajtim, që të takohen sërish për të arritur kompromis rreth krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës dhe datës së zgjedhjeve.

Në takim nuk ishte ftuar ansjë përfaqësues i  lëvizjes Vetevendosje. Nga kjo forcë konfirmohet mungesa e ftesës dhe se mbeten kundër zgjatjes së vendeve të rezervuara, si dhe janë për shkarkimin e Qeverisë, e jo shpërbërjen e Kuvendit.

Pas takimit në selinë e ambasadës amerikane i vetmi që foli para mediave pas takimit, ishte Kryeministri Hashim Thaçi.

“Të gjithë u pajtuam që të takohemi sërish për të biseduar dhe arritur marrëveshje për krijimin e Forcave të Armatosura. Po ashtu u pajtuam që bashkërisht të propozojmë edhe datën e zgjedhjeve të reja parlamentare. Në takim ramë dakord që asnjë parti të mos bllokojnë procesin dhe besoj që shumë shpejt do të kemi marrëveshje”, ka thënë Thaçi. 

Ndërsa duke folur në emër të PDK-së, Thaçi ka thënë se janë të gatshëm që zgjedhjet të mbahen në cdo datë dhe sa më parë. 

Burime të Top Channel kanë bërë të ditur se ambasadorja amerikane planifikon  një takim tjetër me përfaqësuesit e partive minoritare, të cilët po kërkojnë vazhdimin e vendeve të rezervuara edhe për një mandat. Pas këtij takimi pritet që në takimin e tretë të arrihet marrëveshja eventuale, për krijimin e Forcave të Armatosura dhe për vendet e rezervuara.

Top Channel