
Të paktën 11 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës si të dyshuar për keqpërdorime në vlera prej miliona eurosh në privatizimin e ndërmarrjes FAN, në Podujevë.
I dyshuar dhe nën urdhër-arrest ndodhet edhe deputeti i LDK-së, Naser Osmani në cilësinë e ish-anëtarit të bordit të AKP-së. Osmani arrestua gjatë operacionit të paradites pasi ndodhej në Tiranë.
Në lidhje me të, policia konfirmoi se ai ka qenë në kërkim por nuk është gjetur në lokacionin e kërkuar. Në një deklaratë deputeti i LDK-së tha se nuk e di për çfarë akuzohet dhe se do të dorëzohej.
Në kërkim janë edhe pesë zyrtarë të tjerë, mes të cilëve dy anëtarë ndërkombëtarë të bordit të drejtorëve, Hubert Warsman dhe Muhamedd Omran dhe ish-anëtarja amerikane e bordit, Lisa Brodey, me imunitet.
Policia konfirmoi se të arrestuarit dyshohen se kanë kryer vepra penale si: keqpërdorim të pozitës zyrtare, mashtrim me anë të detyrës, legalizim i përmbajtjes së rreme, mashtrim, shkaktim i falimentimit dhe keqpërdorim i autorizimieve ekonomike.
I kontaktuar nga Top Channel, prokurori i rastit Hivzi Bajraktari nuk pranoi të japë informacione të hollësishme, por burime brenda AKP-së thonë se akuzat ndërlidhen me një vendim të vitit 2012 të bordit të drejtorëve AKP-së për lirimin e ndërmarrjes FAN nga kushtet e marrëveshjes së zotimeve.
Kjo do të thotë se bordi ka vlerësuar se kontrata është realizuar dhe blerësi nuk ka detyrime të tjera ndaj agjencisë. Këtë e konfirmoi edhe avokati i deputetit Naser Osmani, Besnik Berisha, i cili njoftoi se klienti i tij do të dorëzohet në polici të entjen.
Nga zyrtarët e AKP-së që u arrestuan në vendin e punës janë nëndrejtori menaxhues i AKP-së Naim Avdiu, shefi i njësisë për likuidime Ardian Kelmendi, përgjegjësi për monitorimin e fabrikës FAN, Nehat Islami, si dhe disa zyrtarë të kadastrës në komunën e Podujevës.
Ndërmarrja FAN është privatizuar në valën e shtatë të shitjes. Blerësi është Agim Deshishku i arrestuar nga policia e Kosovës. Zotimet për investime kanë qenë 2 milionë e 800 mijë euro. Në mbledhjen e bordit të AKP-së mbajtur më datë 20 Janar 2012, u mor vendim për lirim të ndërmarrjes FAN Shpk nga Kushtet e Marrëveshjes se Zotimeve.
Top Channel