Ankaraja hedh poshtë bashkëpunimin trepalësh të mbrojtjes, akuzon Greqinë për shkelje të hapësirës ajrore mbi Egje
Të paktën 37 persona kanë gjetur vdekjen nga një sulm me autobombë në qytetin e Homsit në Siri dhe dhjetra të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Më herët 14 të tjerë gjetën vdekjen dhe më shumë se 80 u plagosën në një sulm me predha në një institut arsimor në qendër të Damaskut.
Sulmet mbërrijnë një ditë pas njoftimit të presidentit Bashar al-Assad se kishte vendosur për të rikandiduar për president në zgjedhjet e ardhshme, duke shpërfillur thirrjet për t’u tërhequr si një mundësi për t’i dhënë fund luftës civile.
Ka të dhëna kundërshtuese sa i përket numrit të viktimave në dy ditët e fundit. Zyrtarët e qeverisë së Damaskut flasin për 46 viktima, por burime nga rebelët dhe Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër thonë se numri është shumë herë më i lartë.
Shpërthimi në qytetin e Homsit, pjesë të tëra të të cilit janë shndërruar në gërmadha, ndodhi në zonën Zahra në atë që njihet “Qyteti i Vjetër” apo pjesa historike e tij me shumcë alavite, mbështetës të Assad.
Qeveria e Damaskut fajësoi “terroristët” për sulmin në kryeqytet. Me këtë term autoritetet besnike të Bashar al-Assad u referohen të gjithë fraksioneve opozitare që po synojnë rrëzimin e presidentit.
Pak ditë më parë, “Human Rights” akuzoi ushtrinë siriane për përdorimin e bombave të ndaluara në qytetin e Aleppo-s, si “bomba fuçi” të ndaluara nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit. HRW thotë se të paktën 85 bomba të tilla janë hedhur në qytetin e Aleppo-s që nga muaji shkurt kur Këshilli i Sigurimit i kërkoi palëve në konfliktin sirian të ndalnin përdorimin e tyre.
Më shumë se 150 mijë persona besohet se kanë humbur jetën në konfliktin 3-vjeçar sirian. Miliona kanë braktisur banesat e tyre. OKB thotë se 3.5 milion të zhvendosur kanë nevojë urgjente për ndihma dhe trajtim mjekësor.
Siria është përfshirë në luftë civile, që tashmë duket pa rrugëdalje, që prej marsit të vitit 2011. Në 3 vite konflikt vendi është shndërruar në arenë përleshjesh mes ushtrisë së Basha al-Assad dhe grupeve opozitare, por edhe mes vetë grupeve të rebelëve, disa prej të cilave janë me lidhje të forta me Al Kaedan.
Top Channel