Sanksionet, Gazprom paralajmëron pasoja

29/04/2014 00:00

Gjiganti rus i gazit, Gazprom, që siguron rreth 30 përqind të sasisë së gazit që konsumohet në Europë, paralajmëroi se të tjera sanksione të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara mund të çorodisin eksportet dhe gjendjen financiare të grupit.

“Një zgjerim i sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian tërthorazi mund të ndikojë në aktivitetin dhe në gjendjen financiare të Gazprom Group”, thuhet në një deklaratë të gjigantit rus.

Kompania deri më tani nuk është goditur nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian ndaj Rusisë për krizën në Ukrainë.

Paralajmërimi i grupit erdhi pasi njoftimit për rënie me 7 përqind të fitimit në vitin 2013 nga Gazprom, megjithëse kjo pritej për shkak të dobësimit të rublës ruse, sic vlerësojnë analistët.

Të martën Ukraina kërcënoi me se do të padisë në gjykatën ndërkombëtare Gazprom për cmimin e gazit, që Kievi e cilëson absurd. Gazprom rriti me 80 përqind cmimin e gazit për ukrainasit që pas rrëzimit të presidentit Viktor Yanukovych, ndërsa Gazprom kërcënon me ndërprerje të furnizimit nëse Ukraina nuk nis shlyerjen e borxhit prej 2 miliard dollarësh. Ndërprerja, deklaron Gazprom, do të pasojë me reduktime të gazit edhe për klientët e tjerë europianë.

Të hënën vendet e Bashkimit Europian kanë arritur një marrëveshje paraprake për të vendosur ngrirje të tjera asetesh dhe ndalime udhëtimi për 15 persona të tjerë, si pjesë e fushatës për rritjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Vendimi i BE-së rastisi me njoftimin e Shtëpisë së Bardhë se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të tjera kundër 7 rusëve, përfshi këtu edhe Igor Sechin, kreun e kompanisë më të madhe ruse të naftës “Rosneft”, si dhe ndaj 17 kompanive të tjera të afërta me presidentin rus, Vladimir Putin.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë më tepër agresive me ndëshkimet e saj ndaj Rusisë, krahasuar me Bashkimin Europian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB