
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka ftuar të gjithë liderët e subjekteve politike parlamentare në një takim, të mërkurën, për të arritur konsensus për miratimin e ndryshimeve kushtetuese për Forcat e Armatosura të Kosovës.
Thaçi u ka bërë thirrje liderëve politikë që t’i lënë anash interesat e ngushta partiake për ta jetësuar në këtë legjislaturë formimin e FAK-ut.
“Kam besim të plotë se do të ketë unifikim të qëndrimeve mbi interesat partiake ditore, për formimin e Forcave të Armatosura. Kam besim se të gjithë liderët do të kenë guximin, urtësinë për të votuar pro krijimit të ushtrisë”, ka thënë Thaçi.
Thaçi i ka ftuar edhe minoritetet, që të mos vendosin kushtëzime politike, pasi – sipas tij, – FAK-u është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallime etnike. Edhe pse dihet tashmë, se minoritetet nuk e votojnë FAK-un pa i marrë vendet e rezervuara, Thaçi nuk foli për ndonjë kompromis eventual. Por, megjithatë, ai u kujtoi politikanëve se nuk fitohet asgjë duke u shprehur kundër minoriteteve.
“Dua të jem i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë para qytetarëve të Kosovës. Nuk mund të formojmë Forcat e Armatosura duke u deklaruar kundër minoriteteve”, ka thënë Thaçi.
Në mbledhjen e kabinetit qeveritar u miratua projektligji për përgjimin e telekomunikimeve, që Kosovës i është vënë si kusht shtesë në procesin e liberalizimit të vizave, i cili ndan përgjigjimin e bërë me vendim të Gjykatës nga përgjimet e AKI-së.
Ky projektligj do të ketë kosto financiare për institucionet përgjegjëse, por edhe për operatorët e telefonive, që duhet të instalojnë pajisjet e nevojshme. Sipas ministres së Integrimit, Vlora Çitaku, ky projektligj ka qëndruar 6 muaj në Bruksel dhe është në përputhje me të gjitha direktivat evropiane.
Top Channel