ALEKSANDËR ÇIPA – Deputeti aktual, Sali Berisha, po kryen gjithë
shërbesën e mundshme për ish-kryeministrin Sali Berisha. E kryen si për
veten dhe natyrisht duke tejkaluar edhe veten aktuale! Po ia del të
imponojë një axhendë debatesh dhe zënkash parlamentare si në kohën kur
ishte Kryeministër.
Po e garanton imponimin tek opozita (të cilën e rikompozon si në rrethanë vetëkryesimi), si stil dhe natyrë, si lloj dhe metodë të opozitarizmit të vet. Por mbi të gjitha, dëshmohet në përditshmëri me fakte dhe shenja se pushteti i tij mbi pushtetin aktual institucional të vendit, vijon të ushtrohet në pamjen dhe brendinë e besnikërisë. Ky “pushtet” shfaqet si rezistencë ndaj shumicës së Kryeministrit pasues Rama, si influencë mbi veprimin dhe mosveprimin eminent të krerëve të institucioneve kushtetuese, por më haptazi, si “vazhdimësi” në procesin riorganizues të Partisë Demokratike.
Pika më nevralgjike e shprehjes dhe e korifeizmit politik të tij në cilësinë e deputetit, mbetet Parlamenti. I është imponuar ish-aleatit të vet, Ilir Meta, sot kryetar Parlamenti, të fitojë statusin e “deputetit të pakohë”, duke u shndërruar në mënyrën klasike të vetes si kryesues dhe orientues i grupit parlamentar të PD-së dhe opozitës në tërësi.
Në këtë mënyrë edhe pse le shijen publike të të qenët një protagonist vijues, po ia del që gjatë shtatë muajve të parë të qeverisjes së aleancës Rama-Meta shumë shpejt, të ngjallë skepticizmin për brendi të plotë rilindjeje. Çështjet e hapura si akuza apo denoncime opozitare edhe pse në fjalorin reagues të Kryeministrit Rama injorohen dhe përcillen ironikisht, duket se po lënë gjurmë dhe shkaktojnë nënqeshjen pohuese të disa kategorive. Në protagonizmin denoncues dhe ulëritës të ish-kryeministrit Berisha, ka edhe fakte ireale edhe hiperbolizime, edhe solidaritet të shtirur, edhe tendencë flagrante për amplifikim, por pavarësisht këtyre, një shtresë vese të vërtetash lënë gjurmë në publik. Natyrisht, e vetmja logjikë që më shumë e tradhton sesa i jep mundësi është bërtitja pa vokacion mbështetës, për: “ngritje në revoltë apo për rebelim me çdo çmim”. Këtu, deputeti Berisha çdo ditë e më tepër nëse vijon, do të shijojë se sa të braktisur do ta bëjë ish-kryeministrin Berisha.
Por kapërcimi ose ripërsëritja e vetes, prej deputetit Berisha, nuk është një çështje e shoqërisë, aq më tepër s’duhet të jetë e tillë për politikën shqiptare.
Politika e këtij vendi ka sfidën e menjëhershme të kapërcimit të politikanit Berisha. Kjo është sfidë jo vetëm për kundërshtarin e tij Edi Rama, i cili e pason në qeverisje, por për gjithë kastën e re politike të vendit, madje më së shumti dhe me më tepër nevojë nga vetë familja politike të cilën e zotëron në statusin e “Atit politik”.
Këtë sfidë së pari duhet ta kapërcejë jo antagonisht, zoti Lulzim Basha, kryetari aktual i PD-së. Norma etike që ai ofron në publik dhe në marrëdhënie me kundërshtarin është treguesi i parë imcak i këtij tejkalimi. Pas tij këtë sfidë, detyrimisht duhet ta kapërcejë edhe ish-aleati (sot kundërshtar i tij), zoti Ilir Meta dhe bashkortaku qeverisës, Kryeministri Rama.
Nuk e kanë fort në dorë si fillim, pasi deputeti Berisha luan politikisht si protagonist opozitar dhe që fijet e influencës politike mbi drejtimin e institucioneve që ka emëruar e lënë, tashmë i mbron nën tagrin kushtetues. Në këtë mënyrë dhe brenda kësaj logjike, vetëm në rastin e tij imponimi i djeshëm mbrohet sot si e drejtë kushtetuese!
Politikani Berisha duhet kapërcyer pa humbur kohë dhe pa marrë kosto konflikti politik. Por që të mos krijohet kjo kosto, shumica aktuale qeverisëse dhe sidomos dy kundërshtarët potencialë të tij, Edi Rama dhe Ilir Meta, lipset të gjejnë formulën e ikjes nga koha dhe mundësia e konfliktit verbal dhe okult që zoti Berisha u imponon në foltoren e Parlamentit dhe përmes funksionimit si survejues i gjithçkaje që lidhet me axhendat ditore individuale të tyre. Pohimi për minutazhe të konsumuara mes Kryeministrit Rama dhe drejtuesve të institucioneve kushtetuese, në mos shantazh është prepotencë e një politikani që ka zotëruar shtetin në cilësinë e ish-kryeministrit dhe zotëron informacionin shtetëror në cilësinë e atij që la të vetët në krye të institucioneve. Sido që të hamendësohet ky funksionim i tij, ai shkakton dhe injekton nervozizëm jo mes zotit Berisha dhe Kryeministrit Rama, por mes këtij të dytit dhe krerëve të institucioneve. Ky nervozizëm shkakton pasoja në funksionim dhe në ligjzbatueshmëri. E drejta e shumicës së re zë fill dhe duhet të mbetet në logjikën e mostrashëgimisë, së institucioneve të pavarura dhe të të emëruarve në krye të tyre, si jo të tillë. Përpos dhe bazuar në këtë logjikë, shumica e re ka vetëm një mundësi legjitime: Si mund ta prodhojë dhe provojë investimin e pavarësisë institucionale për llogari ligjore dhe në funksion të rilindjes së kushtetutshmërisë apolitike dhe antipartiake!
Për t’u fituar kjo sfidë ende nuk ka prova. Sepse nuk ka fillim të mirë, sikundër nuk dëshmohet sensi i kohës së mandatit. Në tetë muaj të parë, kjo qeverisje po nervozohet prej ligjërimit pareshtur atakues të ish-kryeministrit Berisha dhe po denoncohet prej deputetit nervoz, Berisha.
Shumica me moshë gati një vjeçe, me meritë duhet ta tejkalojë ish-kryeministrin që e vijon betejën me pensionin politik të vetes, përmes mundësisë si deputet!
Qeverisja Rama-Meta nëse e ka të vështirë të ndajë si dy hemisfera ngjashmërinë e qeverisjes së vet me atë të ish-kryeministrit Berisha, së paku të dëshmojë se ka ndryshueshmërinë e mentalitetit të një moshe tjetër politike. Mos harrojnë se zoti Berisha në zgjedhjet e fundit, u krenua se do t’i rrëzonte si etërit, ndonëse vetë është at, në moshë fizike dhe në politikë. Tejkalimin e tij, së paku ta dëshmojnë si tejkalim të një të vjetri që refuzon pensionin në politikë. Toleranca në këtë aspekt, nuk riciklon më Berishën, por konsumon me shpejtësi moshën dhe mandatin e të rinjve të vjetër, që tashmë qeverisë i kanë dhënë emrin “Rama-Meta”
Top Channel