Obama vlerëson ujdinë SHBA-Filipine

28/04/2014 00:00

Barack Obama përshëndeti paktin e ri ushtarak mes Filipineve dhe Shteteve të Bashkuara me pohimet se marrëveshja do të promovojë stabilitetin në rajon.

Ujdia e firmosur në Manila pak përpara se avioni i presidentit amerikan të prekte tokën lejon një prani më të madhe të trupave të Uashingtonit në këtë vend.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë sqaroi se marrëveshja nuk ka për qëllim të frenojë Kinën e përfshirë në një grindje të ashpër territoriale me Filipinet.

Por ai shtoi se Manila ka të drejtë të kërkojë gjykimin e OKB-së për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve detare me Pekinin.

Kryeqyteti i Filipineve është ndalesa e fundit e turit rajonal të Barack Obamës, që e çoi presidentin amerikan në katër shtete aziatike.

“Synimi ynë nuk është të frenojmë Kinën. Nuk është të pengojmë Kinën. Synimi ynë është të sigurohemi që ligjet dhe normat ndërkombëtare të respektohen dhe këtu përfshihen edhe ato për kontestimin e territoreve ndërkombëtare”, deklaroi Obama.

Në bazë të marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara do të kenë më shumë akses në bazat ushtarake, portet dhe pistat ajrore. Trupat amerikane do të përdorin këto infrastruktura dhe do të angazhohen në stërvitje të përbashkëta me trupat lokale.

“Ne do të punojmë së bashku për të ngritur kapacitetet mbrojtëse të Filipineve dhe do punojmë edhe me vende të tjera për të promovuar stabilitetin rajonal, si për shembull në Detin Jugor të Kinës”, tha më tej Obama.

Top Channel