
Moska zyrtare ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me rritjen “e papreçedentë” të aktivitetit ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s pranë kufirit me Rusinë, në një kohë kur kriza ukrainase po përshkallëzohet.
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu ia shprehu shqetësimin homologut amerikan Chuck Hagel, në një bisedë telefonike të zhvilluar me të.
Nga ana e tyre, zyrtarët e Pentagonit deklaruan se zoti Shoigu përsëriti zotimin se Rusia nuk do ta pushtojë Ukrainën. Shtetet e Bashkuara njoftojnë se kanë vendosur trupa shtesë në Europën lindore për të garantuar aleatët e NATO-s.
Në një deklaratë për shtyp, zoti Shoigu deklaroi se kishte zhvilluar një bisedë “të ngrohtë” telefonike për rreth një orë me homologun amerikan.
Ai theksoi se aktiviteti ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s në lindje të Evropës ishte shoqëruar nga deklarata “provokuese” mbi nevojën për të frenuar Rusinë.
Ministri i Mbrojtjes njoftoi gjithashtu se trupat ruse ishin kthyer në pozicionet e tyre të përhershme” pas kryerjes së stërvitjeve ushtarake në kufi me Ukrainën. Por ai nuk tha nëse numri total i trupave ruse të vendosura në rajon, që thuhet të jetë rreth 40 mijë, është reduktuar.
Nga ana tjetër, Departamenti amerikan i Mbrojtjes saktësoi se zoti Shoigu kishte dhënë garanci se Moska nuk ka në plan të pushtojë Ukrainën.
Institucioni njoftoi gjithashtu se zoti Hagel kishte paralajmëruar se agresioni i vazhdueshëm rus në Ukrainë do të pasohet nga më shumë masa ekonomike dhe diplomatike.
Ndërkohë, ditën e martë Bashkimi Evropian ka avancuar sanksionet e tij duke zgjedhur 15 subjekte të tjera ruse për të goditur, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara morën masa të ngjashme.
Në listën e BE-së përfshihet gjenerali Valery Gerasimov, shef i Shtabit të Përgjithshëm rus, dhe nëngjenerali Igor Sergun, i identifikuar si shefi i shërbimit sekret ushtarak, GRU.
Në listë përfshihet gjithashtu zv.kryeministri rus Dmitry Kozak dhe liderët separatistë pro-rusë në Krime dhe në qytetet lindore të Ukrainës, Lugansk dhe Donetsk.
Top Channel