
Një nga vëzhguesit e OSBE, që u ndaluan në Lindje të Ukrainës është lënë i lirë. Lajmë është bërë i ditur nga një zëdhënës i separatistëve pro-rusë, dhe është raportuar nga ‘Reuters’.
Më herët forcat e armatosura pro-ruse paraqitën në Slavyansk para gazetareve vëzhguesit e ndaluar.
Tete vëzhguesit nga Gjermania, Danimarka, Polonia, Suedia dhe Republika Çeke, qe u kapën të premten u shoqëruan nga persona me maska.
Vëzhguesi gjerman, Koloneli Axel Schneider tha se “të gjithë oficeret europianë janë në gjendje të mirë shëndetësore”. Ai shpjegoi se nuk ishin të armatosur, por diplomatë në uniformë.
“Nuk jemi të burgosur lufte. Ne jemi miqtë e kryebashkiakut të Ponorariov dhe po trajtohemi në këtë mënyre. Nuk kemi asnjë informacion- tha ai- se kur do të ikim në vendet tona”.
Më herët, të dielën burime nga OSBE i thanë BBC-së se një ekip negociatorësh u dërgua në Slavyansk në përpjekje për të liruar vëzhguesit. Ndërsa kryebashkiaku i Slavyansk-ut foli për mundësinë e shkëmbimit të tyre me persona që janë arrestuar nga qeveria e Kievit.
Rusia, anëtare e OSBE u zotua se do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar lirimin e vëzhguesve. Për Kievin vëzhguesit po “përdoren si mburoja njerëzore”.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry i kërkoi Rusisë të bëjë gjithçka të mundur për të liruar vëzhguesit ushtarakë të OSBE-së që u morën peng në lindje të Ukrainës.
Ministri i Jashtëm rus tha se “Ukraina duhet t’i japë fund operacioneve ushtarake në lindje të vendit, në kuadër të masave urgjente për të ç’tensionuar situatën’.
Ngjarja vjen në kohën kur SHBA dhe BE po përgatitet për t’i vendosur të tjera sanksione Rusisë, duke e akuzuar për destabilitetin e Ukrainës.
Presidenti amerikan, Barack Obama tha se Kremlini nuk ka lëvizur aspak për të zbatuar paktin e arritur në Gjenevë. Diplomatët e BE-së do të takohen të hënën për të diskutuar sanksionet e tjera kundër Moskës, e cila kundërshton se po mbështet milicitë në lindje të Ukrainës.
Top Channel