Trageti në K. e Jugut, dorëhiqet kryeministri

27/04/2014 00:00

Kryeministri i Koresë së Jugut, Chung Hong-won, njoftoi të dielën dorëheqjen e tij, për shkak se qeveria nuk u përgjigj siç duhej ndaj tragjedisë së tragetit, pas të cilës fillimisht u deklarua se ishin shpëtuar të gjithë anëtarët e bordit, duke e përqendruar vëmendjen tashmë në kontrollet e dobta rregullatore.

Trageti “Sewol” u mbyt gjatë një udhëtimi rutinë drejt jugut të vendit, nga porti i Inçeonit në veri drejt ishullit Jelu, të frekuentuar në raste pushimesh, më 16 Prill.

Më shumë se 300 njerëz, shumica e të cilëve studentë dhe mësues të shkollës së mesme “Danwon”, në periferitë e Seulit, nuk mundën të mbijetonin, teksa trupat e disa prej tyre janë nxjerrë, ndërsa të tjerë janë ende të zhdukur e prezumohen të vdekur.

Fëmijët në bordin e “Sewol” kishin marrë urdhër për të qëndruar në kabinat e tyre, në pritje të urdhrave të tjerë. Por, numri total i të vdekurve deri ditën e diel ka arritur në 187.

Korea e Jugut, me ekonominë e 4 më të madhe të Azisë dhe një prej superfuqive të prodhimit dhe eksportit, është zhvilluar në një nga vendet thuajse më të avancuara teknikisht në botë, por përballet me kritika se kontrollet e rregullatorëve nuk kanë ruajtur të njëjtin ritëm zhvillimi.

Si pjesë e hetimeve, prokurorët kontrolluan dy mbikqyrës të sigurisë së anijeve dhe një zyrë të Rojes bregdetare, por edhe dy qendra të shërbimit të anijeve, të cilat veprojnë si një kullë kontrolli për Marinën detare.

Dorëheqja e Chung pritet të miratohet nga presidentja Park Geun-hye, e cila ka tagrin e nevojshëm për këtë gjë, në qeverinë koreano-jugore.

“Mbajtja e postit tim është një barrë shumë e madhe për administratën”, tha Chung, në një gjendje tepër të ngrysur, në një deklaratë të shkurtër. “Në emër të qeverisë, kërkoj falje për shumë probleme, që nga mundësia për ta parandaluar këtë tragjedi, e deri te mënyra se si u trajtua fillimisht aksidenti. Ka pasur shumë parregullsi dhe praktika të gabuara në disa pjesë të shoqërisë, të cilat jetojnë me ne prej shumë kohësh, por që shpresoj të korrektohen sa më shpejt, në mënyrë që aksidente të tilla të mos ndodhin më”.

Top Channel