Ilir Yzeiri – Tani nuk ka më asnjë shpresë, tani ky vend që po rikthehet
me shpejtësi në fazën primitive të mendimit dhe të ligjërimit dhe po
ngjan gjithnjë e më shumë me rrëfimet surreale si të Kadaresë ashtu dhe
të Markezit.
Këtë javë marrim vesh se SHISH-i paska hartuar një shkresë dhe në të thotë se në Gjadër, por edhe në disa vende të tjera, janë parë avionë të vegjël, të cilët mund të kenë transportuar drogë. Madje, në një rast, në Gjadër, këtij avioni i është afruar një furgon “IVECO” me targa të Vlorës, i cili ka shkarkuar drogë në avion. Këtë rrëfim nuk e bën as Markezi te “Njëqind vjet vetmi”, as Kadare te “Kronikë në gur”, e bën Visho Ajazi, njeriu që ka pushtetin më të madh survejues në këtë vend. Ky njeri, në qoftë se do të ndjekim logjikën e rrëfimit të novelës së tij, e merr këtë drogë-informacion dhe ia jep krye të droguarit në Shqipëri, Sali Berishës, i cili flet rromapërtoma jo vetëm kur është zgjuar, por edhe në gjumë. Dhe kaq duhet. Opozita mbarë, djem e vajza, të rinj e të rrjedhur fillojnë e këndojnë nga mëngjesi në darkë se Shqipëria është e përmbytur me drogë dhe se Forcat e Armatosura nuk bëjnë tjetër, por transportojnë drogë.
Midis Makondos dhe Gjadrit
Meqenëse jehona e Markezit këto javë na erdhi në një mënyrë të trishtë, pra u kujtuam edhe njëherë për të tani që ai fizikisht u largua nga kjo botë, unë nisa ta rilexoj edhe njëherë romanin e tij të famshëm “Njëqind vjet vetmi”, përkthyer nga i madhi Shvarc dhe, në atë rrëfim, Shqipëria ime, në këto ditë prilli mbytur me pluhur afrikan dhe shi, më ngjante me Makondon e Markezit. Në atë fshat të humbur të Kolumbisë kishin mbërritur arixhinjtë dhe veçanërisht njëri prej tyre, Melhiadesi e çmendi atë fshat me shpikjet e tij alkimiste. Ai kishte dy shufra metalike dhe duke i tërhequr ato pas vetes në shtëpitë e fshatarëve të Makondos gjithë enët prej bakri, gjithçka metalike lëvizte. Kjo magji e çmendi fare Hose Arkadio Buendian, i cili iu dha me mish e me shpirt shpikjeve alkimiste sipas mësimeve të arixhiut magjistar. Edhe te ne, Visho Ajazi, ky magjistar i kohëve moderne hodhi në trutë e Hose Berishës një letër, të cilën më së shumti del që e kanë shkruar bashkë dhe gjithë vendi lëvizi nga binarët, ashtu siç ndodhi në Makondën e Markezit ose në Gjirokastrën e “Kronikës”, ku Kako Pinoja, pasi sheh një djalë me syze të errëta e përforcon mendimin se tani në atë qytet po bëhet “kiameti”. Vetëm në një vend primitiv me institucione ligjërimi të pandërtuara, mund të ndodhë që një opozitë e tërë të shfaqet si e droguar dhe të përsëritë nga mëngjesi në darkë paçavuren e mjerë që u ka dhënë për ta gëlltitur SHISH-i. Në një vend normal, kryetari i SHISH-it do të duhej që të penalizohej rëndë, sepse ai po e fut vendin në përçarje ose në konfrontim civil. Pse?
Nga shpërndarës droge, në nxitës i tensioneve etnike
Visho Ajazi nuk u shfaq vetëm si një “spacciatore” i rëndomtë i novelave magjike me transport droge, por ai hodhi në publik edhe një informacion të rrezikshëm, keqdashës dhe luftënxitës. Pas raportimit të tij në Komisionin e Sigurisë, mediat lajmëruan se ai ka thënë që në Himarë mund të përsëritet skenari i Krimesë. Në qoftë se në rastin e parë informacioni i tij i hamendësuar ishte një blof dhe një shkelje e rëndë e sigurisë kombëtare, një përpjekje për të ndezur politikisht luftën në këtë vend, në rastin e dytë ai bëri edhe një provokim më të rëndë akoma. Pyetja që shtrohet në këtë rast është fare e thjeshtë. Cili shtet do ta zbatojë skenarin e Krimesë në Himarë? Përgjigjja do të ishte Greqia. Mirëpo, Greqia, si një vend i NATO-s e ka të pamundur të ndërmarrë qoftë edhe një hap sado të vogël, sepse SHBA-ja po frenon Rusinë dhe nuk po ngurron që ta ndaloj Putinin m’u atje në Ukrainë. Si mund ta toleronin ata Greqinë që të nxiste dhe të realizonte një skenar të Krimesë në Himarë? Në qoftë se në Himarë ka ekstremistë që e ndiejnë veten grekë dhe shprehen se do të donin të bashkoheshin me Greqinë, kjo nuk është as e re as e panjohur. Ajo që dihet me siguri është se ky element nuk ka mundur kurrë, madje as në ditët e rënda të ’97-s, kur Vishoja dhe kolegët e tij e braktisën këtë vend, që të realizojnë një ëndërr të tillë. Atëherë shtrohet pyetja: Si ka mundësi që Shërbimi Informativ Shtetëror në vend që të jetë engjëlli mbrojtës i vendit tonë, bëhet një institucion qesharak dhe i njëanshëm politikisht dhe në rastin e dytë kërkon që të nxisë konflikte etnike?
Po të ishim një vend normal
Po të ishim një vend normal, informacioni që kishte Vishoja do të duhej të ndiqte rrugën e hetimit profesional. Ai duhet të kishte ruajtur sekretin e plotë të hetimit dhe të kishte nisur bashkëpunimin me strukturat përkatëse për të kapur në flagrancë avionin e drogës. Më e thjeshta do të ishte që të identifikohej ai furgoni i Vlorës. Si ka mundësi që Vishoja nuk bën as njërën prej tyre po tjerr një novelë sipas stilit të Markezit dhe ia jep ta hajë njeriut që përzien kohët, hapësirat, vendet, që flet jo vetëm si i marrë, por edhe si i ndërkryer, si i droguar, si grua e përdalë, pra si të gjithë personazhet e realizmit magjik në të cilat nuk ekziston as rendi shoqëror, as hierarkia ligjërimore, por flitet njësoj dhe në të njëjtin vend edhe për drogën, edhe për menstruacionet, edhe për krevatin që ndahet me shokë, edhe për avionë që nisen me drogë. Ky njeri që në përgjithësi tekstet i shkruan vetë, tani ka dhe një autor të ndrojtur – shefin e SHISH-it, atë që ne shqiptarët e gjorë e dimë se na ruan nga ata që nuk e duan këtë vend. Në rastin e dytë, në atë të përafrimit të Himarës me Krimenë, provokimi nuk është si ai i një sherrbudallai, duket se është pak më i hollë, sepse rreh që nën emrin e patriotizmit primitiv të provokojë ndjenja nacionaliste dhe t’u japë ushqim ekstremistëve të lodhur në këtë vend që të ndërsehen edhe një herë nga viset nacionalromantike të memories. Për të gjitha këto, Visho Ajazi, sipas mendimit tim, është një rrezik për sigurinë kombëtare.
Top Channel