Assange, tepër i kushtueshëm për Londrën

27/04/2014 00:00

Survejimi, që i bëhet Julian Assange, themeluesit të Wikileaks, i cili ka kërkuar strehim politik në Ambasadën ekuadoriane në Londër, i ka kushtuar deri më tani qeverisë britanike 6 milionë stërlina, ose 11 mijë stërlina në ditë, shifër kjo që sa vjen dhe rritet.

Australiani 42-vjeçar Assange ndodhet që nga viti 2012 në këtë ambasadë të huaj në Londër, pasi  kërkohet në Suedi për t’u përballur me akuzën për ngacmim seksual të dy grave, në Stokholm në vitin 2010.

Ai jeton brenda ambienteve të Ambasadës ekuadoriane, pasi ka frikë se mund të ekstradohet nga Suedia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi zemëroi Uashingtonin për shkak të publikimit të mijëra sekreteve shtetërore në kabllogramet diplomatike, përpara katër vjetësh.

Tre punonjës policie ruajnë gjatë gjithë kohës ambientet e jashtme të Ambasadës, ndërkohë të tjerë verifikojnë personat që hyjnë e dalin, për të parë nëse është ndonjëri prej tyre Assange i kamufluar.

Një nga zyrtarët e lartë britanik, që merret me çështjet e Policisë dhe Krimit, në Londër, Baronesha Jenny Jones, tha se kostot janë një çmenduri e plotë. “Ajo që ai bëri është jashtëzakonisht e vlefshme, por njëkohësisht shmangia e drejtësisë nuk është e drejtë dhe dikush do duhet të paguajë, e kam fjalën për autoritetet suedeze”, tha baronesha.

Assange jeton në një dhomë të kësaj Ambasade, pasi ka marrë azil politik. Ai është ekspozuar ndaj diellit vetëm 20 minuta gjithsej, kur iu adresua mbështetësve të tij në vitin 2012.

Në dhomën e tij ka një llambë të adoptuar për të imituar dritën e diellit, ndërkohë një pajisje palestre është instaluar në dhomë për ushtrime fizike, teksa mësohet se ka ecur afro 800 km në vitin e parë.

Askush nuk e di se sa do të qëndrojë Assange në ambientet e kësaj ambasade, edhe pse ka pasur përpjekje për një zgjidhje diplomatike të çështjes mes Britanisë dhe Ekuadorit, tentativa që deri më tani kanë dështuar.

Top Channel