
Pesë ushtarë të NATO-s humbën jetën nga rrëzimi i helikopterit me të cilin udhëtonin në jug të Afganistanit. Në deklaratën e tij, ISAF nuk jep detaje të mëtejshme mbi ngjarjen, duke pohuar vetëm se rrethanat e incidentit janë nën hetim.
Të tilla episode kanë ndodhur shpesh në Afganistan, ku forcat e koalicionit janë shumë të varura nga transporti ajror. Dhjetorin e 2013, nga rrëzimi i një helikopteri me ushtarë vdiqën 7 amerikanë e 4 afganë.
Ndërsa gushtin e vitit 2011, talebanët qëlluan një helikopter “Chinook” në afërsi të Kabulit duke vrarë 30 ushtarë amerikanë. Ai ishte dhe incidenti më i keq i këtij lloji që shkaktoi bilancin më të madh të vdekjeve në radhët e trupave të Shteteve të Bashkuara që prej fillimit të konfliktit.
Moti i keq, kaos në Karolinën e Veriut
Moti ekstrem po mundon Karolinen e Veriut në Shtetet e Bashkuara, ku erëra të fuqishme kanë shkulur pemët nga rrënjët dhe kanë rrëzuar linjat e energjisë elektrike.
Një tornado u filmua teksa lëvizte në rrugë dhe ishte vetëm prej disa trombave të ajrit që mbollën kaos në zonë. Në qytetin e Durhamit, në perëndim, breshëri dëmtoi shtëpi e makina dhe reshjet e dendura të shiut i bënë disa prej rrugëve krejtësisht të pakalueshme.
Poloni, festë për shenjtërimin e Papa Wojtyla
Bashkatdhetarët e Gjon Palit të Dytë në Poloni kanë nisur që tani festimet dhe nderimet për shenjtërimin e tij, të parashikuar këtë të djelë.
Në Krakovë, ku Carol Wojtyla studioi dhe shërbeu si peshkop, është vendosur një orë e madhe e cila tregon orët e mbetura nga ceremonia, ndërsa në kopshtin e ndërtesës ku ai qëndronte është vënë një automat ku mund të blihen monedha të stampuara me fytyrën e Papës.
Nga ethet e përgatitjeve është përfshirë i gjithë vendi: mesha fetare solemne, lutje gjatë natës, koncerte dhe ekspozitat do t’i japin shkëlqim ditës së veçantë.
Top Channel