
Qeveria e Kosovës ka vendosur që, përmes një projektligji të veçantë, të mbulojë të gjitha shpenzimet për mbrojtjen juridike të personave, që do të akuzohen nga Gjykata Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së.
Përveç shpenzimeve për avokatët, me projektligjin që prezantoi ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, parashikohet që Qeveria të paguajë edhe shpenzimet e anëtarëve të ngushtë të familjes së personave të akuzuar, në proceset gjyqësore që priten të zhvillohen jashtë Kosovës.
“Po ashtu, do të ketë kompensim edhe për personat për të cilët do të ketë gjykime, por të cilët do të shpallen të pafajshëm. Pra, do të kompensohen për kohën e qëndrimit. Kjo do të rregullohet pastaj me udhëzim administrativ dhe do të mbikqyret zbatimi nga Komisioni Parlamentar për mbikqyrjen e financave publike. Ky është model i ngjashëm edhe me vendet e tjera të rajonit”, ka thënë Kuçi.
Në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar edhe ndryshimin e bazës ligjore për sektorin e sigurisë. Ministri Agim Çeku ka prezantuar projektligjin, përmes së cilit do të ndryshohen 38 ligje të sektorit të sigurisë, që ndërlidhen me transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Me këtë rast, kryeministri Hashim Thaçi u bëri sërish thirrje të gjithë deputetëve, që të miratojnë ndryshimet kushtetuese për ta formalizuar formimin e Forcave të Armatosura.
“Kjo është një mundësi historike, që nuk duhet ta humbim. Nëse nuk votohet nga Kuvendi i Kosovës për formimin e FAK-ut në ditët e ardhshme, e ritheksoj edhe njëherë, do t’i humbim disa vite. Vendimin e Kuvendit të Kosovës po e presin edhe Uashingtoni, edhe Brukseli. Prandaj, i ftoj të gjithë që të dalin përtej interesave personale e grupore”, ka thënë Thaçi.
Me propozim të kryeministrit Thaçi, kabineti qeveritar ndryshoi po ashtu vendimin për lehtësimin e studimeve, ku u vendos që, tani e tutje, të gjithë studentët që regjistrohen në vitin e parë akademik të mos paguajnë asgjë për atë vit.
Po ashtu, numri i bursave, që deri tani ishte për 1000 studentë, u rrit në 1500. Në këtë mbledhje, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili, e ka informuar kabinetin qeveritar me zhvillimet në procesin e ndërtimit të kapacitetit të ri energjetik “Kosova e Re”, ku tha se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe, deri më 31 Korrik, sipas tij, do të dihen edhe ofertuesit më të mirë për këtë projekt.
Top Channel