
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe në një prononcim për Top Channel thotë se shkresa e shërbimit informativ shtetëror nuk sjell asnjë provë për trafik droge.
Madje, deputeti socialist thotë se të gjitha zhvillimet treguan se Forcat e Armatosura nuk kanë qenë të implikuara në asnjë lloj trafiku.
“Nuk ka asgjë të re, madje konfirmohen ato që kam thënë më herët. E para, bëhet fjalë për dyshime, të cilat nuk janë fakte dhe as prova. E dyta, bëhet fjalë për të dhëna të mbledhura në rrugë operative, por të pa vërtetuara. E treta vetë SHISH-i është vënë në lëvizje për të mbledhur prova dhe fakte dhe e katërta, më e rëndësishmja, përmendet informacioni i Shërbimit Informativ i Ushtrisë përcjell SHISH-it nga Ministria e Mbrojtjes në Tetor 2013, informacioni i parë është dhënë nga SHIU, në përgënjeshtrim të plotë nga të gjitha ato që u thanë dje në Parlament. Shkresa, që këta e disponojnë, por nuk e bëjnë publike, i referohet periudhës Tetor 2012 dhe në vijim. Këto janë 4 elementët dhe publikimi i letrës nuk sjell asgjë të re”, ka thënë Braçe.
Deputeti i Partisë Socialiste ka shtuar se bëhet fjalë vetëm për indicie të vetë SHISH-it, që nuk jepet asnjë fakt, por vetëm dyshime.
“Në asnjë vend SHISH-i nuk thotë se ushtria është përdorur apo ka qenë pjesë në trafik droge. Kjo ishte arsyeja që dje Berisha dhe të gjithë deputetët e PD-së u zmbrapsën nga akuzat e tyre 10 ditore. Tani kanë kaluar në një tezë akoma më të gjerë, për fluksin e drogës nga Shqipëria drejt vendeve të tjera apo edhe brenda vendit, por të gjitha këto janë një arsye për të dalë nga ajo akuzë shumë e rëndë që ndërtuan pa asnjë fakt edhe letra e SHISH-it e dëshmon këtë gjë.
Braçe e ka cilësuar miratimin, gjatë ditës së enjte, të Komisioni Hetimor Parlamentar si rastin më të mirë të publikimit edhe të dokumenteve të tjera të klasifikuara për të zbardhur të vërtetën.
“Tani që një mori shkresash do të jenë publike, unë besoj që do të harrohet kjo çështje dhe do të merren me drogën që do të kapet në pikat tona kufitare apo edhe nga policia e vendeve fqinje në operacione të përbashkëta. E vërteta të bën që ta shohësh veten në pasqyrë dhe të duket shpifësi më ordiner i të gjitha kohërave dhe shqiptarët do ta kenë Berishën në një përmasë tërësisht të re në Parlament të vërtetuar me dokumente zyrtare që ka shpifur dhe ka hedhur baltë mbi një nga strukturat më të rëndësishme mbi sigurinë kombëtare. E gjithë e vërteta përmes dokumenteve shkresore të bëhet publike në at komision që të pastrohen një herë e mirë imazhi i Forcave të Armatosura dhe të bëhet akoma më i zi imazhi i atyre që e kanë treguar Shqipërinë si vendin e aktiviteteve kriminale. Në opinionin tim personal duhet të ngrihet padi për të gjithë ata që kanë abuzuar pa pasur asnjë provë dhe fakte”.
Braçe ka thënë gjithashtu se SHISH-i duhet të shkrihet nëse shkresat e tij nuk përmbajnë fakte.
“Duhet të ndryshojë edhe mënyra e komunikimit të shërbimeve tona informative. Nëse në një shkresë përcillen thashetheme rrugësh dhe kjo shkresë të mos përmbajë asnjë fakt të vetëm, atëherë ai shërbim nuk vlen. Cilësia e materializuar në atë shkresë është skandaloze, bëhet fjalë për një agjenci ligjzbatuese, e cila në themel të punës së saj duhet të ketë prova”, deklaroi deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe.
Top Channel