Arben Manaj – Si një njeri që merret thuajse çdo ditë me mënyrën sesi
funksionon sistemi anglosakson në drejtësi, do ditë më parë u shokova
nga rastet e paraqitura nga ministri Tahiri në letrën drejtuar
Presidentit, për rastet kur drejtësia shqiptare dukej se bënte “shaka”
me profesionin e vet në kurriz të drejtësisë.
Të gjitha ato raste që pashë, po të kishin ndodhur nëpër gjykatat angleze, do të kishte pasur tërmet. Nuk ka shanse që ato vepra penale të përfundonin në arrest shtëpie, apo lirim në sallë të gjyqit në Britani.
Ndërkohë Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë (nuk dua të paragjykoj, nëse është siç janë rëndom shoqatat në Shqipëri, demokrate apo socialiste, një idiotësi tipike shqiptare) reagon dhe mbulohet pas dëmtimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe dëmit që mund të shkaktojnë këto ndërhyrje te besimi i publikut te drejtësia.
Nëse ky Union do të mendonte se këto raste janë të bazuara në ligj dhe krejt normale dhe do të mburrej përpara atyre institucioneve që u kanë dërguar letrën, do të ishte vetëdiskretitimi më i madh që mund t’i bëjnë argumentit të tyre.
Në fakt, nuk do të duhet të ishte ministri, por vetë ky union që të identifikonte dhe korrigjonte këto anomali në dhënien e drejtësisë. Por, mesa duket, ky nuk është mendimi i tyre dhe rastet e publikuara janë drejtësi e kulluar.
A është ky reagim i unionit i frymëzuar politikisht, apo i frymëzuar nga instinkti i vetëmbrojtjes, apo brerje e ndërgjegjes, apo më keq, frika nga një frymë që nuk i lë më këto raste të vazhdojnë, kjo mbetet të verifikohet.
Besimi i publikut te drejtësia është gërryer për shkak të sekserizmit dhe pasurimit marramendës të shumicës së stafit të drejtësisë shqiptare në këto vite rrumpalle demokratike.
Nuk është e vështirë të shohësh simbolet e pasurimit të gjyqtarëve dhe luksin e tyre, që nga vilat, pasuritë, shiku dhe aksesorët luksozë të tangërllëkut e deri te pushimet dhe daljet jashtë shtetit.
Jo të gjithë janë në këtë kategori, të kuptohemi, por asnjë nga gjyqtarët shqiptarë nuk jeton vetëm me rrogën e shtetit. Jo të gjithë janë të korruptuar, por kush më shumë e kush më pak, e ka ngjyer gishtin në qypin e korrupsionit dhe ryshfetit, që është endemik në shoqërinë shqiptare, si mentalitet që frymëzohet nga praktikat e identifikuara të korruptimit dhe mbarimit të punëve me zarfe, nëse ke hall në dyert e drejtësisë.
Janë këto praktika që kanë gërryer besimin e publikut te drejtësia, të cilën ata kërkojnë ta arrijnë fatkeqësisht përmes lyerjes së rrotës. Një drejtësi që është shndërruar në një nga sëmundjet më të mëdha të shoqërisë shqiptare, sëmundje që kërkohet të kurohet sa më shpejt edhe në kuadër të aderimit të Shqipërisë në strukturat europiane.
Ndoshta ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të krijohet një strukturë e veçantë siç di që operon në Britani, që merret me luftën kundër korrupsionit të gjyqtarëve, e cila si një Big Brother, mban nën këqyrje funksionimin e tyre dhe moskorruptimin e sistemit të drejtësisë.
Sistemi anglosakson është padyshim më i drejti dhe më funksionuesi, dhe është një sistem i tërë rregullash dhe ligjesh që e rregullojnë funksionimin e tij, që e bën thuajse të pamundur korrupsionin e gjyqtarëve britanikë, të cilët në shumicën e rasteve administrojnë procesin gjyqësor dhe është juria e zgjedhur me lotari nga publiku që jep drejtësinë, pasi prokuroria sjell një vepër penale dhe të dyshuar përpara drejtësisë dhe pala mbrojtëse mbron klientin.
Nëse kërkohet siç bëri ministri Tahiri, që Presidenti të ndërhyjë në KLD për këto raste, që duhet të jetë organi që e ka tagër të merret me këto punë, nuk besoj se e bëri për të kërkuar një nder, por për të denoncuar një kalbje të sistemit.
Fatkeqësisht, në Shqipëri, drejtësia reflekton politikë dhe kjo është ajo që e vetëdemaskon atë keqazi në sytë e shqiptarëve të thjeshtë dhe institucioneve europiane.
Por mbrojtja pas mburojës së pavarësisë së varur nga zarfet që shkëmbejnë duar në rastin më të keq dhe inkompetencës, në rastin më të pafajshëm, në radhët e aktorëve të drejtësisë shqiptare, është një shaka e hidhur, pasi demonstron rezistencën nga brenda sistemit.
Drejtësia dhe dhënia e saj nuk është aktivitet apo shërbim privat, por një e drejtë universale për të mbrojtur të pafajshmin dhe për të dënuar atë që bën krim. Ky privilegj në duart e njerëzve që paguhen me para të taksapaguesve, lipset të jetë i shenjtë, në rast të kundërt, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, përfshi edhe gjyqtarët delinkuentë.
Top Channel