Andrea Stefani – Më 23 qershor, tirania u përmbys, por nuk u zhduk.
Tirania ka kaluar në opozitë, duke tentuar të shndërrohet nga tirani
shumice në tirani të pakicës mbi shumicën.
Sali Berisha po ushtron përsëri zejen e tij të vetme, tiraninë. Dhe kjo shpjegon se përse disa gjëra themelore për integrimin, si për shembull lufta kundër korrupsionit të shtuar edhe në 8 vjetët e kaluar në kokë të qeverisë, nuk po ecin si duhet, madje janë bllokuar.
***
Ajo që po ndodh sot, tregon edhe se ç’do të kish ndodhur sikur Berisha të mos ish rrëzuar me votë më 23 qershor. Edhe pse i rënë nga pushteti kulti i autokratit vazhdon të mbajë të kapur me tentakulat e tij institucionet e shtetit. Por jo vetëm kaq. Vendosja dje e besnikëve të tij në krye të institucioneve më të rëndësishme të shtetit, u ka krijuar sot mundësi Berishës dhe mbështetësve të tij të qajnë dhe ulërijnë për gjoja kapjen e institucioneve “të pavarura” të shtetit. Autokrati alarmon një botë të tërë se po kapin institucionet e shtetit, kur në fakt ato janë institucione të kapura prej tij dhe të pavarura vetëm nga shteti. Po alarmon botën se po ia marrin kompetencat Presidentit, kur bota e di se Nishani është një delfin i tij i zgjedhur pa konsensus. Në fakt, Berisha qahet se po ia marrin kompetencat Berishës. Sepse Presidenti real është Berisha!
***
Tirania e pakicës ka arritur të bllokojë reformat e qeverisë. Ndaj po ngrihen shumë kritika, edhe nga e majta, që e perceptojnë këtë anomali dhe ngërç. Thonë se Edi Rama nuk ka ardhur ende në pushtet, se qeveria nuk e ka marrë akoma pushtetin. Në fakt qeveria ka kundër disa institucione me peshë të shtetit. Dikush mendon se me rënien e Berishës, ca institucione që ishin kapur prej tij, kalojnë automatikisht si balancues të qeverisë së sotme. Do të ishte shumë mirë. Fatkeqësisht nuk mund të bëjnë balancuesin kushtetues institucione që nuk kanë për axhendë misionin që u ngarkon Kushtetuta, por atë që ua ka ngarkuar autokrati i djeshëm. Këto institucione vetëm mund ta bllokojnë dhe jo të balancojnë qeverinë. Dhe ky është një aktivitet antikushtetues. Institucionet që balancojnë një qeveri, kundër rrezikut të tiranisë që ajo paraqet, duhet të jenë të pavarura, pra as të qeverisë dhe as të opozitës. Të thuash se institucionet që dje ishin kapur nga autokrati Berisha, bëhen automatikisht të pavarura vetëm pse autokrati nuk është më në pushtet, do të thotë të bësh hapur punën e autokratit, që lakmon patologjikisht përsëri pushtetin. Siç po e bëjnë dhe si do të shohim ta bëjnë edhe disa ndërkombëtarë si Daul, Pack apo Grosruck, miq të Berishës, por jo të Shqipërisë.
***
Pra nuk po kuptohet se sot kemi thuajse një dypushtet në Shqipëri. Njëri është ai i qeverisë së re të votuar dhe tjetri ai i qeverisë së pavotuar. Qeveria e votuar nga 1 milion shqiptarë ka çelësat e kashtës! Qeveria e sapokundërvotuar nga mbi 1 milion shqiptarë ka çelësat e shtetit! Ajo ka nën komandë Presidentin e Republikës dhe me anë të tij, edhe qeverinë e gjyqësorit që është Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD). Dora e saj e padukshme është mjaft prezente në komunitetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në sajë të një investimi 23-vjeçar të autokratit Berisha, që sot po jep frytet e veta të hidhura për shtetin. Duke qenë trashëgues i një qeverisjeje tejet të korruptuar, ish-kryeministri Berisha nuk është fare i interesuar për nisjen e luftës kundër korrupsionit të madh. As nga e majta dhe as nga e djathta. Berisha nuk do të hapet fare loja antikorrupsion. Aq më pak të ndiqet modeli kroat e përgjithësisht europian, i vënies para përgjegjësisë deri edhe e ish-kryeministrit për pasurim të paligjshëm. Dhe qartazi pozicioni i squllur i prokurorisë dhe i kryeprokurorit Llalla shfaqen në sinkron të plotë me këtë interes e strategji berishiane. Deri më sot nuk kemi asnjë dosje të dërguar nga qeveria pranë prokurorisë (si për shembull ajo e ish-ministrit Imami) që të jetë kthyer në akuzë dhe të jetë dërguar në gjykatë. Ritmet e punës së prokurorisë nuk përputhen fare me alarmet e ndërkombëtarëve për thellimin e korrupsionit në Shqipëri dhe pritshmëritë publike për antikorrupsion. Skandale të përgjakshme si ai i Gërdecit dhe masakra si ajo e 21 janarit, janë mbyllur në sirtar. Po i pjekin apo po i djegin këto dosje? Ndaj është e vështirë që pas kësaj mefshtësie të prokurorisë dhe kryeprokurorit, të mos shohësh gjurmët e gishtave të kapjes së institucionit të shtetit nga Berisha.
***
Shkarkimi i Zana Xhukës, i kreut të Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive nga mazhoranca e sotme, është kthyer në kalë beteje i opozitës berishiste, për të faktuar sulmin mbi institucionet e “pavarura”. Nuk duan t’ia dinë fare se ky inspektorat nuk ka ndihmuar fare në denoncimin e pasurive të paligjshme të vëna me korrupsion nga ministra, deputetë, politikanë, gjyqtarë që, sikundër u pa së fundi, bredhin me avionë për të ndjekur ndeshje futbolli nëpër Europë me paratë e shqiptarëve të varfër që nuk kanë shkolla, spitale për të qenë, madje edhe bukë!
***
Faktet provojnë vartësinë dhe dështimin e institucioneve që duhet të mbrojnë interesin qytetar nga abuzivizmi dhe korrupsioni i zyrtarëve publikë! Por autokrati i rënë nga pushteti është vënë në mbrojtje të këtyre institucioneve “të pavarura”! Ky është paradoksi i ditëve të sotme, që ca ndërkombëtarë po kanë vështirësi ta kuptojnë. Por shumë të lehtë ta keqkuptojnë, duke e marrë autokratin për demokrat që lufton të mbrojë institucionet “e pavarura” dhe për autokratike një qeveri që, në fakt, po përpiqet të çlirojë institucionet nga kapja e vjetër autokratike.
***
Tirania e pakicës është sot një dukuri shqetësuese edhe në demokraci të zhvilluara si ajo e SHBA. Sot atje po kritikohen raste kur pakica republikane ka arritur të bllokojë reforma të domosdoshme për të mirën publike. Po sipas këtij modeli, pakica “republikane” në Shqipëri bllokoi reformën administrative dhe së fundi, deklaratën e përbashkët në komitetin e asocim-stabilizimit. Deri dje ushtruan sa mundën forcën e kartonit, edhe pse me shumicë minimale. Sot qahen nga tirania e shumicës, sepse lakmojnë tiraninë e pakicës!
***
Edhe pse një shtet i vogël, madje pikërisht për këtë, në Shqipëri janë shumë më të larta rreziqet që mund të vijnë nga tirania e pakicës. Një rast që na tregon se ndryshe nga besimi i Rusoit, demokracia ka ca disavantazhe më tepër në një shtet të vogël. Kështu, në Shqipëri është jo aq e vështirë që një përçarje, një fraksion politik, një mosmarrëveshje ta shtrish në rang shtetëror. Gjë që do të jetë më e vështirë ta realizosh në një shtet të madh, dhe për më tepër federal, si SHBA. Ndërkaq, në Shqipëri ka edhe faktorë shtesë që rrisin shanset bllokuese të një fraksioni politik, duke e shndërruar atë në një tirani të pakicës. Kryesori është fanatizmi politik i shtresave të popullsisë. Më evidente sot kjo është në radhët e PD-së, kur prej më shumë se dy dekadash shtresa të elektoratit votojnë një politikan si Berisha, që me standardet e rotacionit demokratik të lidershipit, duhet të kish vajtur me kohë në shtëpi. Këta janë njerëz që, për arsye krahinore, për interesa gjithfarëlloj, janë të gatshëm të aprovojnë gjithçka që thotë e bën Berisha. Pa asnjë hezitim! Në SHBA është bërë një eksperiment për këtë lloj fanatizmi të verbër. Disa votuesve të djathtë u është ofruar një reformë e djathtë, por u është thënë se është propozuar nga të majtët. Disa votuesve të majtë u është dhënë një reformë e majtë dhe u është thënë se e kanë propozuar të djathtët. Të dyja palët kanë refuzuar reformën.
***
Kapja e institucioneve dhe mbështetja e fanatikëve janë armët me të cilat po operon Berisha që të bllokojë tiranikisht ambiciet e qeverisë. Në mënyrën si po zhvillohen gjërat, përplasja e shumicës dhe pushtetit të sotëm me institucionet e “pavarura” të Berishës pritet të ashpërsohet. Sepse kjo qeveri nuk mund të luftojë korrupsionin pa çliruar drejtësinë nga kapja e Berishës, pa çliruar KLD, pa çliruar prokurorinë. Është një proces i vështirë, i dobishëm, por që bart edhe rreziqe. Sepse, në përpjekjet për të çliruar shtetin nga kapja e një ish-pushteti, pushteti i ri mund të infektohet me atribute dhe struktura autokratike. Shumica e sotme duhet të përdorë kartonët për të mposhtur tiraninë e shumicës së djeshme, që shfaqet sot si tirani pakice. Por duhet të bëjë kujdes, që ajo vetë të mos shndërrohet në një shumicë tiranike!
Top Channel