Zef Preçi – Disa raste dhe nevoja për nxitjen e konkurrencës në tregje.
Rasti i parë: Në shtyp bëhet e qartë se shteti nuk është në gjendje as të heqë licencën dhe jo më të penalizojë disa farmaci që nuk zbatojnë vendimin e qeverisë për uljen e taksave (heqjen e TVSH), një masë që synon(te) të ndihmojë shtresat në nevojë, kryesisht pensionistët, por edhe pacientët e të gjitha kategorive që vizitohen dhe mjekohen në shërbimin shëndetësor publik që mbahet me taksat tona – një ndër përparësitë e shpallura të programit të qeverisë. Po kështu, është faktuar se një numër farmacish në Tiranë tregtojnë ilaçe të futura kontrabandë (“Të tregtueshme vetëm në Shqipëri dhe në Kosovë” ose “Good enough for Albania”), të paregjistruara dhe institucionet shtetërore nuk ua heqin licencën, por u kërkojnë të tërheqin nga tregu ato ilaçe… Kuptohet që reagimi i farmacive është thjesht reagimi i një karteli apo oligopoli në mbrojtje të fitimeve të tyre, në fakt këto të garantuara nga shteti (qeveria), sepse kemi të bëjmë me një sektor të rregulluar…
Rasti i dytë: Shteti më në fund publikoi mbas një viti “hetimesh, matjesh dhe analizash laboratorike brenda dhe jashtë vendit”… listën e kompanive të tregtimit me pakicë të karburanteve që vjedhin konsumatorin në cilësi dhe peshë, të cilat u ndëshkuan me… gjoba qesharake “në emër të shtetit ligjor dhe mbrojtjes së konsumatorit…” Dikush, që akoma beson te “shteti ligjor dhe i së drejtës”, mund të mendonte se vjedhja ndëshkohet me heqje licence, gjobë dhe nga konsumatori, d.m.th. me bojkot të konsumatorëve… Vërtet kështu është (ose më saktë duhej të ishte), por kjo ndodh vetëm në ato vende që kanë institucione të ekonomisë së tregut, e Shqipërisë me sa duket i duhet akoma shumë kohë e rrugë për të arritur atje…
Rasti i tretë: Më herët kësaj jave në Kuvendin e Shqipërisë u organizua një “Seancë dëgjimore”, në të cilën raportonte titullarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Ndër të tjera, deputetët (me të drejtë) ngritën shqetësimin se kompanitë (private) të sigurimeve nuk kanë paguar kompensimet për dëmet ndaj individëve dhe firmave të siguruara në një shumë prej 14 milionë dollarësh deri në fund të vitit që shkoi… Edhe këtu “borxhi i qeverisë ndaj biznesit”? Kuptohet që jo – sigurimet përcaktohen si një marrëdhënie kontraktuale e detyrueshme nga ligji dhe e rregulluar e mbikëqyrur nga shteti… Por për çfarë tjetër duhen kompanitë private të sigurimit që, pasi kanë çmontuar hap pas hapi shoqërinë publike (INSIG), në mungesë të konkurrencës kanë ushtruar praktika të “marrëveshjes së fshehtë për fiksimin e çmimeve apo ngrirje të tyre në treg”, siç ishte rritja e njëkohshme me 40-50% të vlerës së sigurimit të mjeteve motorike në të gjitha kompanitë përpara disa javësh e për të cilën nuk u ndëshkua asnjëri përveç administratorit të INSIG-ut, pronë publike (sepse iu bashkua atij karteli për disa ditë)? Në raportimin në Kuvend u tha se “shoqëritë e sigurimit ishin në nevojë për likuiditete…” d.m.th. u justifikua edhe para “përfaqësuesve të popullit” grabitja e organizuar, jashtë kushteve të konkurrencës e të siguruarve me detyrim – sipas ligjit… Nuk besoj se mbas kësaj, ndonjë vendimmarrës i lartë po mendon “të marrë para të tjera borxh” (gjithnjë në emër të të gjithë shqiptarëve) meqenëse një grushti oligopolistësh të sigurimeve u janë rrezikuar t’u zvogëlohen fitimet e tyre, e për këtë shkak as që kanë ndërmend të paguajnë fatkëqijtë e siguruar sipas ligjit(?!). Këta të fundit vazhdojnë të bredhin korridoreve të gjykatave të korruptuara për të kërkuar kompensimet e sigurimeve të garantuara ligjërisht dhe institucionalisht nga… shteti shqiptar.
Rasti i katërt: Në opinionin publik janë të njohura denoncimet e një numri përfaqësuesish politikë të mazhorancës së sotme gjatë periudhës kur gjendeshin në opozitë, me shqetësimin se pasuri të rëndësishme publike të papërsëritshme siç janë rezervat e mineraleve (krom, bakër, etj.,) apo të naftës dhe gazit natyror po shfrytëzohen agresivisht nga shoqëri të huaja të lidhura me elitën politike drejtuese, duke cenuar kështu interesat e ekonomisë dhe të shtetit shqiptar. Madje janë përmendur edhe emrat e disa kompanive, të cilat jo vetëm shfrytëzojnë pa kriter pasuritë në fjalë, duke shkaktuar ndotje të ambientit në shkallë të gjerë, por edhe po rrezikojnë infrastrukturën e qendrave të banuara të zonës ku veprojnë – për shkak të shpërthimeve të shpeshta në formën e tërmeteve me fuqi të vogël po prishen rrugët e komunikacionit, ujësjellësit dhe kanalet ujitëse, shtëpitë e banimit, toka bujqësore etj. Në të vërtetë, deri më sot askush nuk po kompenson apo po mbron interesat e qytetarëve shqiptarë të dëmtuar për këtë shkak. Për më tepër, në të njëjtën rrugë duket se po shkon edhe përdorimi i burimeve dhe rezervave ujore, rëndësia e të cilave për zhvillimin e bujqësisë, të turizmit, si dhe për mbrojtjen e ambientit bëhet edhe më e madhe për brezat që vijnë… Por a ka ndonjë debat politik, publik, profesional apo akademik, ndonjë nismë ligjore apo përpjekje institucionale për të stabilizuar situatën në shfrytëzimin e burimeve natyrore, për të rivendosur balancën e interesave midis një kompanie private dhe shtetit shqiptar si palë kontraktuale, për të ndëshkuar abuzivizmin, evazionin gjigant fiskal dhe korrupsionin politik dhe ekonomik që prodhon paligjshmëria në shfrytëzimin e këtyre pasurive natyrore të shqiptarëve të sotëm dhe të brezave që vijnë? Kjo mbetet për t’u parë…
E ardhmja?
Nuk mund të bëj asnjë parashikim, por më e pakta që mund të thuhet është se zbatimi i ligjit dhe rritja e besueshmërisë publike ndaj institucioneve të shtetit të së drejtës, në Shqipëri dhe kudo në botën demokratike që na rrethon, kërkon minimalisht tri kushte bazë:
a) Vullnet politik për reforma, që gjithsesi të paktën në këndvështrimin numerik, e zotëron mazhoranca e sotme e qeverisë, e për të cilin flitet “pa doganë” në… masmedia…
b) Kuadër ligjor dhe institucional bashkëkohor, që përgjithësisht është i ndërtuar gjatë këtyre viteve me asistencën e BE dhe SHBA dhe normalisht është funksional nëse kushti i parë plotësohet, dhe
c) Një administratë publike me kapacitete menaxheriale të disponueshme dhe eficiente, e cila sipas meje ishte dhe mbetet thembra e Akilit gjatë gjithë periudhës mbas ndryshimeve sistemike të vitit 1991. Deri më tani, nuk po shohim që kjo administratë të vihet në punë as me ligjin e vjetër, as me ligjin e ri… Madje, aktualisht janë “në punë” njëkohësisht tri administrata: administrata e larguar nga puna mbas vitit 2005 me ardhjen në pushtet të së djathtës (shumica kanë fituar gjyqet dhe asnjëri nuk është rikthyer në punë dhe nuk besoj se kjo do të ndodhë – një pjesë e tyre, meqë kanë kaluar gati dhjetë vjet, mund të shkojë direkt në pension me vendimin e gjykatës në… dorë). E dyta është administrata aktuale mikse, d.m.th. e të dy mazhorancave, dhe e fundit administrata e re “fringo” e “konkurseve”, në pritje të …hyrje/daljes në fuqi të ligjit të ri…
Në fund, për t’u kthyer te rastet e përmendura më sipër dhe të tjerëve të panumërt të ngjashëm me ta: mungesa e konkurrencës në tregje, shërbimet publike të shtrenjta dhe korruptive, edhe kur ato rregullohen nga shteti, në thelb shfaqen si përpjekje të karteleve ekonomike, të oligopoleve me prapavijë politike (prej nga janë ushqyer dhe ushqehen partitë dhe fushatat e bizneset e kushtueshme të tyre) për të ruajtur “status-quon-ë” d.m.th. fitimet e veta. Kjo thellon efektet e krizës, sjell shfrytëzimin dhe varfërimin e mëtejshëm të konsumatorit, qytetarit, taksapaguesit e votuesit shqiptar. Për të ndryshuar këtë situatë, mendoj se nuk nevojiten as para, as taksa shtesë apo borxh i ri publik, por pak më shumë vullnet politik për respektimin e shtetit të së drejtës e më pak demagogji. Kjo do të thotë shkëputje e qartë e elitës drejtuese në pushtet dhe në opozitë nga rrjetat e karteleve dhe të oligopoleve që rrezikojnë të uzurpojnë kështu gjithë pushtetin dhe shtetin njëkohësisht. Kuptohet se kjo nuk mund të arrihet pa një ndërgjegjësim të fuqishëm publik rreth pasojave që sjell situata aktuale në tregjet e (keq) rregulluara në mënyrën se si janë ato sot. Kështu të paktën do të doja unë të ishte e nesërmja në rregullimin e tregjeve, se kështu ndodh në vendet normale me ekonomi të tregut të lirë…
Top Channel