Mali, lirohen 5 vullnetarë të marrë peng

18/04/2014 00:00

Trupat franceze në Mali kanë liruar pesë punëtorë vullnetarë që ishin rrëmbyer në veri të vendit në muajin shkurt.

Të pestë ata janë liruar përmes një operacioni blic në qytetin verior të Timbuktusë dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore, deklaruan presidentët e Francës dhe Malit në një deklaratë të përbashkët shtypi.

Katër nga punëtorët që ishin marrë peng punonin për Kryqin e Kuq. Në momentet e para pas rrëmbimit u raportua se ata ishin në duart e militantëve të grupit islamik Muxhao, njëri prej fraksioneve të shumta që u dëbuan nga qyteti vitin e kaluar.

Franca drejtoi ndërhyrjen ushtarake në vend, duke arritur sukses, por sulmet e kryer nga rebelët e grupeve të lidhura me Al Kaedën kanë vazhduar në rajonin e gjerë verior të Malit.

Pesë punëtorët vullnetarë u zhdukën teksa po udhëtonin me një automjet nga lokaliteti Kidal për në Gao më 8 shkurt. Deklarata e publikuar në orët e vona të së enjtes thoshte se, ata ishin marrë peng nga një grup terrorist, por nuk jepte detaje të tjera.

Militantët islamikë kishin nën kontroll qytetin e Gaos gjatë periudhës prill 2012-janar 2013. Në deklaratën për shtyp, presidenti i Malit, Boubacar Keita shprehu “mirënjohjen e thellë për angazhimin e Francës në Mali që prej vitit 2013”, raporton agjencia e lajmeve “AFP”.

Dy presidentët u zotuan për të vazhduar luftën ndaj terrorizmit, krimit të organizuar dhe në veçanti trafikun e drogës në rajonin afrikan të Sahelit, raporton më tej agjencia.

Mali ra në kaos dy vjet më parë, kur një rebelim i fiseve tuareg, në veri të vendit, shkaktoi një grusht ushtarak shteti.

Top Channel