
100-vjetori i Luftës së Parë Botërore ishte temë e posaçme debati në Strasburg, për trashëgiminë që la pas dhe mësimet e nxjerra për të ardhmen e Europës.
“Ne duhet të theksojmë qartazi, këtu në Strasburg, në seancën plenare të Parlamentit Europian, se 100 vjet pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, popujt dhe qytetarët e Unionit kanë vendosur se paqja e stabiliteti dhe respektimi i kufijve, sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve anëtarëve janë vlerat tona”, tha Evangelos Venizelos, presidenca greke e BE-së.
“Ne nuk duhet të harrojmë se nacionalizmi çoi në atë luftë të tmerrshme. Tani që disa prej demonëve të vjetër po zgjohen, ne nuk duhet të harrojmë se edhe ata që mbrojnë ultra-nacionalizmin dhe ksenofobinë, sulmojnë gjithashtu BE-në dhe vlerat e shtrenjta për ne”, tha Jose Manuel Barroso, President i KE.
“Jam i sigurt se, nëse Europa do të dorëzohej ndaj populizmit dhe euroskepticizmit, do të kthehej pas në kohë, drejt kaosit dhe luftës në Europë”, tha Joseph Daul, President i PPE-së në PE.
“Pas luftrave europiane, ne i detyrohemi shumë restos së botës, por, që të bëjmë detyrën tonë, nevojitet të jemi të bashkuar. Vetëm një Europë e bashkuar mund të refuzojë përpjekje të tilla, si ato të Putin-it e Rusisë për të ndaluar zgjerimin e lirisë dhe prosperitetit”, tha Hannes Sëoboda, President i S&D në PE.
“Ne nuk do të bindim brezat e rinj, duke vënë gishtin te një e kaluar e tmerrshme, por e largët. Ne duhet t’iu shpjegojmë atyre, se si Europa dhe integrimi europian është mjeti për një të ardhme më të mirë, dhe për ta ruajtur këtë paqe në kontinentin tonë, në vendet tona, në Ballkan, dhe te fqinjët tanë në Ukrainë”, tha Guy Verhofstadt, President i ALDE në PE.
“Nuk ekziston vetëm një e vërtetë. Nuk ka një ideologji të vetme. Nëse nuk kuptojmë këtë, ne nuk do t’ia dalim kurrë të ndërtojmë Europën”, u shpreh Dany Cohn Bendit, bashkëkryetar për “të gjelbrit” në PE.
Zgjerimi me Ballkanin nuk u përmend fare në këtë seancë, megjithëse prej vitit 2009 e në vijimësi, kryeministrat grek premtonin kurorëzim të procesit në këtë përvjetor, gjatë presidencës helene të BE-së.
Përgatiti: Arta TOZAJ
Top Channel