Fetaria e tranzicionit

13/04/2014 00:00

Aleksandër Çipa – Komunizmi dhe tranzicioni si dy periudha të ndryshme dhe antagoniste kryekëput, kanë (dhe duhen trajtuar për) diçka të përbashkët apo të ngjashme mes tyre.

Kjo e përbashkët, tek i pari, është e largët në kohë, ndërsa tek i dyti, duhet parë dhe vlerësuar si e nesërmja e afërt me të sotmen që s’dihet sa zgjat ende. E përbashkëta mes tyre është: e shkuara. Me komunizmin e kemi fituar lënien e tij në dhe si të shkuar. Ndërsa me tranzicionin, vështirë do ta kemi ende, ndonëse e dimë fort mirë prej dialektike se tek “e shkuara nuk ka më kthim” dhe e “sotmja drejt së nesërmes zhytet”. Komunizmi tashmë është një regjim dhe kohë e shkuar, por simptoma dhe fetaria që rrënjosi në mentalitetin dhe ndërgjegjen e gjeneratave, do kohë të zhbëhen.

Ndërsa tranzicioni fetarinë e vet e rrënjosi dhe po e mban në fuqi në formë dhe brendi të ndryshme. Shprehet dhe mishërohet në sjellje dhe reagime, në dukuri dhe marrëdhënie, por më së shumti në realitete shembjeje, rrënimi moral, anarkie dhe kaosi social etj., etj.

E lidhur aq kompleksisht me këto dy kohë të njëpasnjëshme, shoqëria, individi dhe klasa politike e Shqipërisë edhe pse gjenden në kohën logjike të përmbylljes së tranzicionit postkomunist, sërish premtojnë një nënkapitull epilogues. Dukuritë, arsyet dhe sidomos shkaqet e tejzgjatjes së tij, janë diskutuar e trajtuar gjatë nga kategori dhe interpretë të të gjitha fushave, por në këndvështrimin e dialektikës politike përgjegjës-tejzgjatës të kësaj periudhe politike shqiptare, kryeshfaqen udhëheqësit tanë politikë.

Në këtë qasje të paplotë, një prej ish-gazetarëve politikë, sqimatar dhe i thukët, i dekadës së parë të tranzicionit, (tashmë një politikan inteligjent dhe analitik i dekadës së dytë e më tej) zoti Ben Blushi, së fundi sjell disa deduksione dhe ngre disa ide.

Qasjet e zotit Blushi në librin “Hëna e Shqipërisë” janë të shumta, por në pjesën ku skicon jo vetëm eseisisht kastën e “nënprefektëve izolatrikë” të kohës së sotme, pra të periudhës së tranzicionit, mundëson kurajshëm të përcaktojë targetin potencial të kastës që jetështon tranzicionin shqiptar. Është fjala për atë kastë që fetarinë e tranzicionit postkomunist shqiptar jo vetëm e mbart si frymë, sjellje dhe ndërgjegje, por e sheh si alternativën e vetme për dominim dhe ekzistencë dominuese mbi vendin, politikën, biznesin dhe krejt shoqërinë. Në kapitullin “Bashkimi me Europën”, dhe pikërisht te nënkapitulli deduktues: “Të pasurit do të kundërshtojnë reformat”, politikani analist shënon: “Të pasurit duan të merren me politikë dhe politikanët duan të merren me biznes. Kjo është tendenca që ka përcaktuar zhvillimin e vendit në këta njëzet vitet e fundit. Sot njëra palë nuk ndryshon shumë nga tjetra dhe shkrirja e të dy grupeve është vetëm çështje kohe. Por të dyja grupet kanë një pengesë: Europën. Europa nuk e pranon këtë stil”.

Është përcaktim i cili nuk do të zgjojë reagime për këtë arsye, por për shkak të identifikimit të kastës, të përcaktimit të saj në mënyrën më eksplicite dhe duke zbuluar kurajshëm edhe mekanizmin apo më saktë “kontratën funksionale” mes dy grupeve. Është kjo marrëveshje, e cila mundëson sundimin prej tyre të këtij vendi dhe shoqërisë sonë. Një sundim që ngjet i tillë, jo thjesht në raport me asetet, institucionet, përfaqësimin në përgjithësi, por fatalisht edhe me perspektivën dhe kohën si, e Sotme dhe e Ardhme.

Kjo periudhë e sundimit të politiko-biznesit ose biznes-politikës mësyu qysh në fillim të saj kriterin e vlerës dhe të standardit. Kriteri pseudopolitik dhe ideologjiko-analfabet u ngjiz në zanafillë të kësaj periudhe duke deformuar apo keqshtruar demokracinë. Demo-indoktrinimi propagandistik u përdor si mjeti bazë të cilën e morën dhe e përdhosën udhëheqësit e këtij tranzicioni të cilët, ndryshe nga sipërmarrës të tillë si Vasllav Haveli për shembull në Çeki, nuk i dhanë dot dimensionin dhe vlerën e një praktike që tejkalonte vetveten.

Janë disa dukuri të ndenjura gjatë në harkun kohor të gati 25 viteve të këtij tranzicioni, mbi të cilat dhe prej të cilave po sendërtohet ndërgjegjja tranzicioniste shqiptare, ose më saktë, fetaria e tranzicionit. Kjo fetari u ngjiz në sjelljen politikëbërëse, në ndërgjegjen dhe kulturën administruese, në formën dhe përmbajtjen e qeverisjes dhe të udhëheqësimit. Ashtu e pa formë dhe në modelin “centaur” të demokraturës dhe hajdutokraturës, udhëheqësit e këtij tranzicioni të shtirur si “të majtë e si të djathtë” patën ngjyra të ndryshme parcelash, por nuk kanë diferencë modelesh dhe përmbajtjesh. U bënë anë antagoniste të së njëjtës medalje (Berisha-Nano, Nano-Berisha, Meta-Berisha, Berisha-Rama dhe Rama…). Kontrastuan përmes konfliktit dhe nuk u ndanë për produktin qeverisës dhe sidomos atë shtetdrejtues. E bënë dhe e trajtojnë si “plastelinë” institucionalizmin shtetëror dhe demokracinë institucionale, marrëdhëniet, distancën dhe sidomos arkitekturën e ndarjes së pushteteve. Deformuan njëjtësisht demokracinë në gjithë variablet e saj dhe u keqsollën me destinacionin “Europë”, duke krijuar alibinë e penguesit herë “unë për ty dhe herë ti për mua”. Me këtë logjikë dhe aktrim diabolik në raport me destinacionin e mbërritjes në Europë dhe sidomos në raport me vendin dhe shoqërinë e një demokracie të kërkuar, kjo udhëheqësi e pangjashme me asnjë prej të tillave në vendet fqinje dhe sidomos ato të vendeve kandidate për anëtar të BE-së, qysh nga fillimi i viteve ‘90 e gjer më sot, ka bashkautorësinë e fetarisë së tranzicionit. Kjo fetari është ndërgjegjja penguese për të bërë Shqipërinë tonë së shpejti anëtare të BE-së, por është edhe mentaliteti i rrënjosur, zhbërja e të cilit do jo vetëm shtesë në kohën e tranzicionit, por edhe mbartje në kohën e largët të të qenët tonë në BE. Autorësia për këtë fetari tranzicioni, s’ka asgjë të përbashkët me fetarinë e religjioneve, e cila personazhet mitikë dhe mbi-globalë i shndërroi dhe i mban si profetë të gjithëkohshëm. Udhëheqësit tanë të tranzicionit, janë thjesht protagonistët e vetantagonizmit të kohës së dënueshme për vonesë dhe vetëpengim. Fetaria që po na lënë, zgjat si e keqe, dhe si e tillë, ka shenjë të ngjashme me dhimbjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA