
Flamurtari dhe Kukësi do të ndeshen mes tyre për të përcaktuar edhe fituesin e Kupës së Republikës për këtë edicion, finale që do të zhvillohet më 17 Maj, por që për stadiumin do të duhet ende kohë, pasi këtë do ta përcaktojë FSHF-ja në ditët në vijim.
Verilindorët e drejtuar nga Sulejman Starova shkruajnë historinë, duke shkuar për herë të parë në finalen e Kupës së Shqipërisë, pse jo të mos synojë ta bëjë të vetin atë. Për kuksianët ka shënuar Boya në minutën e 14 të pjesës së parë, duke eliminuar në gjysmëfinale ekipin e Teutës.
Në takimin tjetër gjysmëfinalist, vlonjatët kanë mposhtur 2-0 kampionët e trefishtë të Shqipërisë, Skënderbeun, falë golave të Licajt (19’) dhe Telushit (38’), por ndryshe nga kuksianët, kuqezinjtë nga Vlora e kanë provuar 3 herë ngritjen e këtij trofeu, 85’, 88’, 2009, si dhe e kanë humbur atë në 8 finale të tjera.
Ndeshjet e para të gjysmëfinaleve kishin përfunduar me rezultatet 3-2, Kukës-Teuta, dhe 0-0 Flamurtari-Skënderbeu.
Top Channel