Mourinho ia kalon presionin PSG-së

08/04/2014 00:00

Jose Mourinho, si zakonisht, është shumë i aftë në kalimin e presionit te kundërshtarët. Chelsea i drejtuar prej tij ka humbur takimin e parë të çerekfinaleve 3-1 kundër PSG-së, ndërkohë që në vigjilje të ndeshjes së kthimit “Special One” nuk ka frikë edhe nëse eliminohet.

“Nëse eliminohen ata do të jetë një zhgënjim i madh, ndërsa nëse eliminohemi ne do të jetë thjesht diçka e zakonshme”.

Tekniku portugez gjithsesi vazhdon të besojë. “Në takimin e parë nuk pashë një skuadër të madhe kundërshtare, por gjithçka ua dhuruam ne”.

Parisi nuk do të ketë Ibrahimovic, i dëmtuar. “Neve na mungoi Eto’o në ndeshjen e parë, ndoshta mungon edhe këtë takim, ashtu sikurse nuk do të kemi Ramires, Matic e Salah. Por nuk qahemi”. Sulmuesi kamerunas në fakt është në dyshim, por edhe mund të luajë.

“Special One” karikon më tej të tijtë: “Arsye për të besuar? Nuk vlejnë arsyet, por të besuarit. Ndaj dhe ne besojmë deri në fund”.

Thiago Motta këtë herë do të jetë kundërshtar i tij, jo si në kohën kur të dy ishin pjesë e Inter. “Nuk duhet të preokupohemi për të. Ai është një lojtar i mirë, por nëse dëshiron mund të shqetësohet ai nga ne”.

Blanc: Do të donim të kishte mbaruar ndeshja

Ndërkohë, trajneri rival i francezëve, Laurent Blanc, në konferencën e tij për shtyp, ka shpjeguar taktikën që do të përdorë skuadra e tij në “Stamford Bridge” të Londrës.

“Nuk kemi ardhur këtu për të vuajtur, por për të luajtur shanset tona. Duam të kontrollojmë topin, sepse kështu mund ta kemi më të lehtë kualifikimin”. Blanc ka folur edhe për talentin e tij në mesfushë, Verratti-n. “Ndeshje të tilla janë të rëndësishme për t’u përmirësuar”.

E menjëherë kthehet sërish te kundërshtari. “Nuk e dimë nëse Chelsea do të sulmojë në metrat e fundit, por nëse e bëjnë këtë do të lënë më shumë hapësira për Lavezzi-n. Presim një presing të Chelsea-t në 20 minutat e para, duhet të jemi të qetë dhe të saktë, si dhe të mos ndryshojmë filozofinë e lojës”.

Në fund, një profeci për çerekfinalen e kthimit dhe më shumë se kaq. “Një ditë, PSG-ja do ta fitojë Champions-in. Por nuk mund ta them nëse do të jetë ky viti i duhur, apo më vonë. Thjesht do të doja që ky moment, që po flas për shtypin, të kishte qenë ai pas ndeshjes së kthimit. Edhe Chelsea-t i është dashur të presë me vite për ta fituar këtë trofe”.

Top Channel