
Jenson Button nuk e festoi ashtu siç duhej garën e tij numër 250 në Formulën 1. Piloti anglez braktisi Cmimin e Madh të Bahreinit për probleme mekanike të makinës së tij McLaren kur ndodhej në vend të pestë, por ky incident nuk e zbeh kurrsesi një arritje të tillë.
Button ka 15 sezone në Formulën 1 dhe është piloti aktiv me më shumë gara, i ndjekur nga Fernando Alonso, i cili ka marrë pjesë në 218 Cmime të Mëdha.
Britaniku ka para tij katër pilotë: Jarno Trulli (të cilin do e kalojë në renditje pas tre garave), Riccardo Patrese (do e kalojë pas shtatë garave), Michael Schumacher dhe Rubens Barrichello (ish-pilotët e Ferrarit janë më larg).
Jenson Button ka debutuar me makinën Williams në Cmimin e Madh të Australisë së vitit 2000, garë që nuk e përfundoi dot.
Pas dy vitesh tek Renault dhe gjashtë vitesh tek Honda, Button-it i erdhi mundësia e artë në vitin 2009, ku me një makinë BrawnGP fitoi titullin kampion kur askush nuk e priste.
Pas atij viti erdhi kalimi tek McLaren. Ky është sezoni i pestë i tij me Shigjetat e Argjendta dhe deri tani ka fituar 8 gara me këtë ekip. Jenson ka mbushur 34 vjeç dhe ka ende shpresa të arrijë 322 garat e brazilianit Rubens Barrichello në mënyrë që të jetë ai piloti me më shumë Cmime të Mëdha në historinë e Formulës 1.
Top Channel