
“Asnjëherë nuk është e lehtë të luash ndaj ekipeve angleze. Kualifikimi do të vendoset nga detaje tepër të vogla”.
Ky ka qenë prezantimi, që Pep Guardiola i ka bërë ndeshjes së kthimit për çerekfinalet e Champions, mes Bayern Munchen dhe Manchester United, këtë herë në “Allianz Arena”, pas barazimit 1-1 në “Old Trafford”.
“Ata luajnë një lojë shumë mbrojtëse – shton trajneri i bavarezëve, – do të përpiqen të rrinë mbrapa dhe të godasin me kundërsulme. Këtë dinë ta bëjnë shumë mirë”.
Për sfidën e së mërkurës kundër “Djajve të Kuq”, Guardiola nuk do të ketë shërbimet e Schëeinsteiger, i cili mori karton të kuq në ndeshjen e parë, dhe Javi Martinez. “Kam vetëm 14 lojtarë në dispozicion – tha ish-tekniku i Barcelonës, – nuk kam shumë alternativa. Por, faktor i rëndësishëm është fakti që luajmë në shtëpinë tonë”.
Në rast se ndeshja do të përfundojë sërish 1-1, si në takimin e kaluar, kualifikimi do të vendoset nga goditjet e 11-metërshave, por trajneri spanjoll rrëfen se nuk i ka përgatitur aspak lojtarët e tij për të gjuajtur penalltitë. “Kur çështja shkon deri te penalltitë, vlen më shumë kurajoja se sa teknika – nënvizon Pep, – mendoj se është më shumë çështje logjike”.
Top Channel