
Juventus e zgjidh lehtësisht dhe shumë shpejt sfidën e së hënës ndaj
Livorno-s në “Juventus Stadium”, duke marrë kështu 3 pikët e radhës dhe
duke e rikthyer diferencën në +8 me Romën e vendit të dytë.
Lojtarët e besuar të Conte-s zbresin pa asnjë presion në fushë dhe kundër një rivali që lufton për mbijetesë nuk bën asnjë lëshim, përkundrazi, sigurojnë fitoren e 16 radhazi në fushën e tyre, kjo falë dygolëshit të spanjollit Llorente, i cili u rikthye te goli pas më shumë se 1 muaji.
Golat u shënuan në minutën e 32-të të pjesës së parë, pas një goditjeje me të majtën, ndërsa 3 minuta më pas erdhi edhe goditja me kokë për golin e dytë, duke vulosur njëkohësisht edhe rezultatin përfundimtar të takimit.
Pas sfidës në Torino, tekniku bardhezi Antonio Conte është shprehur: “Kampionati ende nuk ka përfunduar, por ne vijojmë të ecim drejt objektivit. Kushdo që vesh fanelën e Juventus është i detyruar të jetojë nën presion e t’i përshtatet atij. Së bashku me Romën po bëjmë gjëra të jashtëzakonshme, por duelin në fund do ta fitojë kush do ta meritojë më shumë. Tashmë që i afrohemi objektivit final, na duhet edhe më shumë mbështetja e tifozëve tanë”.
Ndërkohë, në sfidën tjetër të mbrëmjes së të hënës, të vlefshme për javën e 32-të të Serie A, Milan ka arritur të marrë 3 pikë të rëndësishme në fushën e Genoa-s. Milani kaloi në avantazh që në pjesën e parë, me anë të një goli të Adel Taarabt. Ndërkohë, në 45 minutat e dyta do të ishte japonezi Honda që do të dyfishonte shifrat. Më pas vendasit do të arrinin të shkurtonin diferencën e golave, por pa arritur të barazojnë rezultatin. Autor i golit ishte Motta.
Me këtë fitore Milani ngjitet në kuotën e 45 pikëve, po aq sa Torino, në vendin e 11-të.
Top Channel