
Duelet mes pilotëve dhe parakalimet e shumta ishin kryefjala e Cmimit të Madh të Bahreinit, por ai që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte padyshim përplasja mes Pastor Maldonados dhe Esteban Gutierrezit.
Ishte xhiro e 41 e garës kur piloti i Lotusit del nga bokset dhe i drejtohet me shpejtësi kthesës së parë, aty ku ishte Sauberi i meksikanit Gutierrez. Venezueliani nuk frenon dhe me turirin e makinës prek gomën e pasme të rivalit duke e hedhur në ajër. Pasi makina Sauber rrotullohet dy herë, fatmirësisht zbret në tokë duke mos e dëmtuar pilotin.
Edhe pse pa dëmtime, goditja ishte shumë e fortë e për këtë arsye Gutierrez u dërgua në spitalin e zonës për kontrolle.
Maldonado mori tre dënime për këtë aksident: një “stop and go” në garën e Bahreinit, pesë pozicione zbritje në nisjen e garës së ardhshme (Kinë) dhe tre pikë në patentë. Në Formulën 1 pikët e patentës nuk hiqen, por shtohen. Pra, Maldonado ka 3 pikë dhe nëse plotëson 12, skualifikohet për një garë.
Top Channel