
Shqipëria do ta nisë të martën konkurimin e saj në kampionatin europian të Peshëngritjes, që po zhvillohet këto ditë në Tel Aviv. Gjendja e mirë fizike e 4 sportistëve tanë, në kryeqytetin izraelit, ka rritur optimizmin te stafi kuqezi, të cilët theksojnë se do të kthehen me medalje në Shqipëri.
“Të tre sportistët tanë, Romela, Danieli e Erkandi, gjithmonë kanë pretenduar për medalje në Europian dhe këtë do të bëjmë edhe në këtë kampionat. Por të flasim për vendet dhe ngjyrën e medaljes, besoj se sa më lart të shkojmë aq më shumë të gëzuar do të jemi, si ne edhe ju e të gjithë shqiptarët”, tha trajneri Zef Kovaçi.
Pas 2 vjetësh pezullim, rikthehet në këtë Europian edhe Erkand Qerimaj, peshëngritësi që u shpall kampion Europe në Antalia të Turqisë, por që iu hoq medalja për përdorim të substancave të ndaluara. Pavarësisht se ka kundërshtarë shumë të fortë në peshën 77 kg, shkodrani pohon se synimi i tij është vendi i parë.
“Është një garë e fortë, ku është rikthyer edhe kampioni i botës, i cili kishte 3 vjet që nuk merrte pjesë nëpër Europianë, duke e rritur së tepërmi konkurrencën. Por kam edhe bashkëpatriotin tim Godelli, me të cilin do të jemi në të njëjtën peshë. Edhe ai gëzon një formë shumë të mirë sportive. Synimi im është që të hyj në zonën e medaljeve, pastaj të bazë të provave dhe ecurisë së garës do të përcaktohet nëse do jem për vend të parë apo jo. Por unë do të luftoj për maksimumin”, tha peshëngritësi Erkand Qerimaj.
Pezullimi dhe heqja e titullit kampion Europe, për shkak të përdorimit të substancave të ndaluara, e ka shtyrë Qerimajn të marrë një vendim të prerë në karrierën tij sportive, duke ndërprerë marrëdhëniet me çdo substancë.
“Ai ka kaluar në krahun tjetër tashmë, duke vendosur të mos marrë asnjë substancë gjatë kësaj periudhe. Patjetër që është treguar i kujdesshëm dhe ka gjetur edhe një program të dhënë nga Federata Botërore e Peshëngritjes, organ që kontrollon gjithçka edhe në të ngrënën e sportistëve. Sigurisht që këtë herë kujdesi është rritur në maksimum”, shtoi më tej trajneri Kovaçi.
Romela Begaj, në peshën 63 kg, do të jetë shqiptarja e parë, që do të garojë në Tel Aviv. Gara e saj do të jetë ditën e martë, në orën 17:30, ndërkohë mbrëmjen e së martës do të garojnë Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli, në peshën 77 kg. Gara e peshëngritësit tjetër, Ervis Tabaku, do të jetë të premten, në orën 19:30.
Top Channel